Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian për vizat është një arritje dhe moment historik për Kosovën.
“Jam shumë i lumtur të jemi së bashku me ju në këtë ditë shumë të rëndësishme për Kosovën. Vendimi i sotëm i Komisionit Europian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës me dekada”.
“Kjo përbën një moment historik dhe një njohje të përpjekjeve, vlerësim të angazhimeve shumëvjeçare për të ankoruar shtetin e Kosovës në zemrën e Evropës”.
Thaçi në konferencën e përbashkët me Komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka falënderuar këtë të fundit për gjithë mbështetjen, njofton Klan Kosova.
“Ju shpreh falënderimin për gjithë mbështetjen tuaj dhe ekipit tuaj në ecjen tonë përgjatë kilometrave të fundit por më duhet të theksoj se kilometrat e fundit vërtetë kanë qenë shumë të gjatë dhe të rëndë për ne”.
“Jam i lumtur që së bashku kemi arritur në cak, cak shumë të rëndësishëm. Jam i bindur që së bashku dhe shpejtë do të vijmë te momenti kur qytetarët do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, deri në fund të këtij viti”.
I pari i vendit ka thënë se ky moment në rrugën integruese të Kosovës në Bashkim Evropian e përmbyllë një cikël shumë të vështirë.
“Liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin tonë në Bashkim Evropian. Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane”.
“Sot është fituese Kosova, sot është fitues Bashkimi Evropian. Lajmi i sotëm e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian”.
“Siç edhe kemi deklaruar, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe sot me kuptimin e fjalës kemi pajtim të plotë me partnerët tanë, me Komisionin Evropian”.
Presidenti kosovar ka thënë se ky rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën është i merituar.
“Kjo nuk është një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku të gjitha institucionet tona, i gjithë spektri politik, opozita, qeveritë e kaluara, shoqëria civile, mediat, si dhe përgjegjësit e rendit e të ligjit. Është meritë e qytetarëve të Kosovës”.