Si u shkel protokolli i shtetit

Liderët institucionalë dje kanë shkelur Ligjin për Protokollin Shtetëror, pasi kanë udhëtuar jashtë vendit në të njëjtën kohë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj dje për herë të tretë kanë bërë shkeljen e Ligjit mbi Protokollin e Shtetit, i cili parasheh që tre krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Nenin 19, paragrafi 4 në Ligjin mbi Protokollin Shtetëror.

Mirëpo të tre liderët kanë udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Bashkë më të janë edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi.

Me daljen jashtë vendit të tre liderëve më të lartë të shtetit Kosova ka mbetur pa asnjërin prej krerëve të tri institucioneve kryesore në vend.

Këtë veprim të udhëheqjes së lartë të vendit njohësit e çështjeve kushtetuese e kanë konsideruar si shkelje të rëndë që po mbetet pa u ndëshkuar, sipas tyre krerët e shtetit vazhdimisht po shkelin aktin më të lartë juridik të vendit.