Komisioni Evropian ka publikuar sot një raport lidhur me rekomandimin pozitiv që i është dhënë Kosovës për heqjen e vizave, në të cilin është specifikuar se kosovarët mund të udhëtojnë në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, dhe po ashtu në katër shtete të tjera që janë pjesë e Zonës Schengen.
Katër shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian: Zvicra, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia janë pjesë e Zonës Schengen dhe kosovarët mund të udhëtojnë në këto shtete me pasaporta biometrike, në rast se liberalizohen vizat.
“Pasi që propozimi legjislativ të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, populli i Kosovës me pasaporta biometrike mund të lëvizë pa viza për qëndrime më të shkurtra se 90 ditë në të gjitha shtetet anëtare të BE-së përveç Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe mund të lëvizë pa viza në katër vendet e lidhura me Zonën Shengen (Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën)”, thuhet në njoftimin për media të Komisionit Evropian.