Ukraina: Eliminuam njësitë çeçene të Kadyrovit që synonin ta vrisnin presidentin

Ukraina: Eliminuam njësitë çeçene të Kadyrovit që synonin ta vrisnin presidentin

Njësia e forcave të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, e cila synonte të vriste Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, u eliminua.

Kështu të paktën ka thënë Olekiy Danilov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe i Mbrojtjes së Ukrainës, shkruan Ukrinform

“Ne tashmë jemi në dijeni për operacionin special që do të kryente njësia e forcave Kadyrov. Ne morëm informacionin nga përfaqësues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, të cilët nuk duan të marrin pjesë në këtë luftë të përgjakshme. Njësia e forcave Kadyrov, e cila erdhi për të vrarë Presidentin tonë, u eliminua”, tha Danilov.

Ai vuri në dukje se njësia ishte ndarë në dy grupe dhe ishte ndjekur nga afër.

Sipas tij, një grup është vënë nën zjarr në Hostomel, një grup tjetër është nën kërcënimin e armëve.

“Ne nuk do t’ia japim askujt Presidentin dhe vendin tonë. Kjo është toka jonë, largohuni që këtu,” shtoi Danilov.

Ramzan Kadyrov është lideri i rajonit rus të Çeçenisë dhe aleat i presidentit rus Vladimir Putin.