Takoi Putinin e Scholzin, foli me Zelenskyn e Macronin – çfarë thotë kryeministri i Izraelit?

Takoi Putinin e Scholzin, foli me Zelenskyn e Macronin – çfarë thotë kryeministri i Izraelit?

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett ka folur në telefon me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky për herë të tretë brenda ditës pas udhëtimit në Moskë e Berlin në përpjekjen e tij për ndërmjetësim.

Në hapje të mbledhjes së kabinetit të tij këtë të diel, Bennet tha se Izraeli ka obligim moral që të përpiqet t’i japë fund vuajtjeve njerëzore në luftën në Ukrainë.

Ai më tutje ka folur edhe për takimet e tij me Putin në Moskë dhe me Scholz në Gjermani.

“Shkova në Moskë dhe Berlin për të ndihmuar në vendosjen e një dialogu mes të gjitha palëve, me bekimin dhe inkurajimin e të gjithë akterëve”, tha Bennett.

Bennett tha se “edhe nëse shanset nuk janë të mëdha”, ai e sheh këtë si “përgjegjësi morale të Izraelit të bëjë çdo përpjekje”, meqë ai ka kontakte të mira me të dyja palët e konfliktit.

“Situata në terren nuk është e mirë. Vuajtjet e njerëzve janë të mëdha dhe mund të rriten nëse gjërat vazhdojnë në këtë rrugë siç janë”.

Kryeministri izraelit thuhet të ketë folur edhe me presidentin francez Macron.

Zelensky i kishte kërkuar Bennettit që të provojë të organizojë një samit me Putinin në Jerusalem përpara se Rusia të fillojë agresionin në vendin e tij dhe i ka kërkuar atij që të ndërmjetësojë në mes Ukrainës dhe Rusisë.