Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke thënë se nuk sheh mbrapa për kthim në parti politike.
Hairi është shprehur se Osmani sheh për mandatin e dytë në krye të shtetit, teksa ka shtuar se nëse sheh mbrapa për një parti politike është Lista Guxo dhe jo LDK-ja.
“Zonja Osmani-Sadriu është Presidente e Republikës dhe në kulmin e karrierës politike. Mënyra se si ka ardhur deri te Zyrja e Presidentes e ka zgjedhur vetë rrugën politike dhe partnerët politik. LDK nuk ka hezituar që t’ia japë votën sepse roli jonë ka qenë kryesor jo vetëm për kuorum por për t’u zgjedhur presidente. Një njeri i cili është në majën e institucioneve të një Republike dhe në mandatin e parë e ka edhe një 1 vit e gjysmë, ajo sheh për mandatin e dytë, nuk sheh mbrapa për kthim në parti politike dhe as nuk sheh mbrapa për t’u parë diku tjetër, nëse sheh mbrapa për një parti politike është lista GUXO, krijesë që zonja Osmani e ka ndërtuar me të cilën ka hyrë në listën e LVV-së dhe ka arritur këtu ku është. LDK ka qenë rruga në të cilën ajo ka ndërtuar karrierë politike duke qenë në zyrën e presidentit Sejdiu, duke qenë në listën dhe kabinetin kredibil të Isa Mustafës, deputete dhe nënkryetare e LDK-së, por njerëzit politik bëjnë zgjedhje në momentin që vlerësojnë dhe atë vlerësim e ka bërë”, ka thënë ai.
Haziri është shprehur se si LDK e kanë kaluar jo lehtë zgjedhjen për të votuar pro Osmanit si presidente.
“Unë e shoh Vjosa Osmanin në këtë rol në përfundim të këtij mandati, në ushtrimin e detyrës Kushtetuese që e ka obligim ndaj vendit por edhe ndaj LDK-së që e ka votuar, sepse jo lehtë e kemi kaluar ne votën pro saj, edhe brenda LDK-së, edhe përtej LDK-së. Por, ne e kemi bërë me vetëdije të plotë sepse ne e duam Republikën më shumë se gjithçka tjetër, dhe në këtë rrafsh Vjosa Osmani është duke parë për mandatin e dytë nuk është t’u parë mbrapa për kthim në subjekte politike”.