Zëvendëskryeministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet e Pakicave, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Komuniteteve (ICO), ka mbajtur sot takimin e dytë të Forumit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë, ku janë shprehur mendimet, nevojat dhe politikat e tyre para ministrave të Qeverisë së Kosovës.
Rexhepi, ka thënë se projekti për investim dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, prek zhvillimin e të rinjve dhe grave dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve jo-shumicë.
“Ato prekin të gjitha kategoritë, domethënë zhvillimin e të rinjve dhe grave dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve tona dhe ndoshta të gjithë së bashku të përfshihemi në një projekt të madh ashtu që banorët e shtetit tonë të kenë dobi, në këtë kuptim unë do të përfshihem më vonë sepse ekipi im ka punuar së bashku me ju në strategjinë e forumit se si do të dukej dhe si do të ndiqnim ne si Qeveri dhe ICO dhe investitorë dhe të gjenim mënyrën më të mirë të mundshme për të zbatuar të gjitha projektet tona të përbashkëta”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa, sekretari gjeneral i ICO, James Holmes, ka shtuar se roli i ICO-së është t’i ndihmojë komunitetet t’i paraqesin iniciativat, idetë, të cilat për tu zbatuar duhet të jenë të bazuara në prova, rezultat i hulumtimit, provave e i takimeve.
“Një mundësi për ju që të jeni në gjendje të flisni me ministrat, të cilët janë sot këtu, të cilët janë në forumin e fundit, të cilët do të jenë në takimet e ardhshme të forumit dhe të ndani idetë tuaja, politikat tuaja, prioritetet tuaja dhe të siguroheni që ato janë dëgjuar pikërisht në zemër të qeverisë. Qëllimi i rolit tonë, mbështetjes tonë është t’ju ndihmojmë t’i paraqisni ato iniciativa, ato ide, ato ide politike në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ta bërë këtë, procesi duhet të drejtohet nga të dhënat, duhet të jetë i bazuar në prova, duhet të jetë rezultat i hulumtimit, rezultat i provave, rezultat i takimeve”, ka shtuar Holmes.
Ky projekt, për investim për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në bashkëpunim me ICO, planifikohet të zbatohet gjatë viteve 2024-2030.