Osmani: Themelet e Kosovës janë të forta – aq të forta saqë askush nuk mund t’i rrënojë ato

Osmani: Themelet e Kosovës janë të forta – aq të forta saqë askush nuk mund t’i rrënojë ato

Presidentja Vjosa Osmani, në adresimin e saj para deputetëve në Kuvend, ka thënë se përfaqësimi i Kosovës përveç se është nderi më i madh i jetës së saj, është mishërim i besimit të qytetarëve.

Ajo rikujtoi se rruga deri te shteti që gëzojmë sot, nuk ka qenë aspak e lehtë, duke pëmendur vuajtjet që kaloi populli i Kosovës gjatë luftës së fundit.

“Jam angazhuar që t’i përfaqësoj qytetarët me dinjitet dhe do të angazhohem gjithnjë që në këtë rrugëim të dalim përherë faqebardhë, përfaqësimi i vendit tim përveç se është nderi më i madh i jetës sime, është mishërimi i besimit të qytetarëve duke na rikujtuar ditë pas dite përgjegjësinë që kemi jo për të lartësuar vetën, por për të lartësuar shtetin”, tha Osmani.

“Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë, për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy dhe mbështetje për secilin qytetar.  Momenti kur mund të themi se vërtetë ja kemi dalë është momenti kur qytetarët do të thonë jemi krenar për vendin tonë dhe për vlerat që ai përfaqëson e mundësitë dhe gjithpërfshirjen që ofron, e jo për shkak të një personi apo grupi politik”, tha ajo.

E para e shtetit përmendi vizionin e presidentit historik Ibrahim Rugova, komandantin legjendar Adem Jasharin, dhe të gjithë ata që luftuan për lirinë e vendit tonë, duke thënë se i përkulet sakrificës dhe guximit të tyre të pashoq.

“Rruga deri të shteti që gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë, populli ynë ka humbur më të shtrenjtën duke përfshirë edhe fëmijët në djep në mënyrë që sot të frymojmë lirshëm. Ibrahim Rugova e Adem Jashari, nëpërmjet luftës së UÇK-së në njërën anë dhe ndërtimi i shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta që nuk ka forcë e sfidë që do të mund ndonëjherë t’i rrënojë ato. Nderojmë vizionin e presidentit Ibrahim Rugova, dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe të secilit pjesëtarë të UÇK-së. Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerizo qëndrojnë në themelet e shtetit tonë ndaj mbetet qendrore edhe për të ardhmen”, është shprehur Osmani.