Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, në cilësinë e presidentit shqiptar.
Kryetari Veseli dhe presidenti Meta diskutuan për zhvillimet aktuale që kanë para vetes, Kosova dhe Shqipëria.
Duke e falënderuar presidentin Meta për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, në të gjitha përgjegjësitë e tij institucionale në Shqipëri, veçanërisht gjatë udhëheqjes së Kuvendit të Shqipërisë, kryeparlamentari Veseli theksoi gatishmërinë e tij për të intensifikuar më tej këtë bashkëpunim, në interes të përbashkët.
Presidenti Meta uroi kryeparlamentarin Veseli për rizgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar lart lidershipin e tij gjatë mandatit të kaluar.
Kreu i shtetit shqiptar shfaqi besimin se bashkëpunimi midis institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë do të vazhdojë në ritme edhe më të mëdha.
Veseli dhe Meta konfirmuan përkushtimin institucional të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për të kryer reformat e nevojshme në rrugëtimin euro-atlantik, si aspiratë dhe alternativë e vetme për të dyja vendet dhe rajonin në përgjithësi.