Pesë alpinistë humbin jetën nga stuhia e borës në Alpet e Zvicrës

Policia rajonale në Valais bëri të ditur se aktualisht janë duke punuar për të identifikuar viktimat.

Policia zvicerane ka njoftuar se nga një stuhi e papritur dëbore jetën kanë humbur pesë alpinistë të cilët në jugperëndim të Zvicrës u detyruan të kalojnë natën në të qiell të hapur.

Policia rajonale në Valais bëri të ditur se aktualisht janë duke punuar për të identifikuar viktimat.

Autoritetet kantonale të hënën dërguan shtatë helikopterë për të shpëtuar 14 alpinistë nga Franca, Gjermania dhe Italia në rajonin Pigne d’Arolla.

Policia më parë ka njoftuar se katër alpinistë kanë humbur jetën dhe pesë ishin në gjendje kritike. Alpinisti i pestë vdiq më vonë.

Zëdhënësi i policisë në Valais, Markus Rieder, deklaroi se alpinistët janë përballur me një erë të fuqishme, dëborë dhe me temperatura të ulëta, si dhe ishin të detyruar të kalojnë natën në qiell të hapur.

Te disa alpinistë të shpëtuar, janë vërejtur simptoma të hipotermisë dhe për këtë arsye janë dërguar në spital.

Policia ka thënë se alpinistët u përpoqën të arrijnë deri në vendëpushimin e Alpeve Vignettes në një lartësi prej 3.157 metra mbi nivelin e detit.