Çfarë thotë ish-nënkryetari i LDK-së për Demaçin, këto janë fjalët e tij

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka thënë fjalë të mëdha për veprimtarin Adem Demaçi, që u varros dje në Prishtinë.

Ndonëse partia e tij vendosi ta bojkotonte ceremoninë e varrimit të veprimtarit Demaçi, Kryeziu në një postim në Facebook ka thënë se Demaçi ishte veprimtar dhe për të vepruar zgjodhi mjetet që iu gjenden pranë.

Statusi i plotë i Kryeziut:

“Metafora e qëndresës

Demaçi, besojmë, me të drejtë do të duhej të bëhej metaforë e qëndresës, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzit që janë të bekuar me ëndrrën për liri.

E ngatërrojmë shpesh veprimtarin me mendimtarin. E pra janë dy karaktere të ndryshme. André Gide e shpalos aq mirë këtë dallim tek Thésée.

Demaçi ishte veprimtar dhe për të vepruar zgjodhi mjetet që iu gjenden pranë. Dua të them se motivi i qëndresës nuk do të duhej të identifikohej me mjetet që përdoren.

Është e pritshme që emri i tij pas shumë e shumë vitesh të ketë kuptimin e njeriut që nuk u dorëzua kurrë”, ka shkruar Kryeziu.