Kokëdhima për debatin e kufijve të Kosovës: Shqiptarët nuk mund të shkëmbejnë dy troje shqiptare

Vazhdon reagimi i politikanëve nga troje të ndryshme shqiptare për temën e rishikimit të kufijve.

I fundit që është përfshirë në këtë debat është ish zyrtari i lartë i PS-së, njëkohësisht kryetari i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima.

Ai përmes në shënimi në Facebook, ka deklaruar se shqiptarët nuk mund të shkëmbejnë dy troje shqiptare.

Sipas Kokëdhimës, idetë për shkëmbime territoresh nuk janë të reja.

“Takimi më i fundit mes presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë evropiane për politikat e jashtme, Federica Mogherini, u pasua me deklarata që hedhin idenë jo të re për ndarje të Kosovës dhe për shkëmbim territoresh me Serbinë. Bëhet fjalë për një marrëveshje “demarkacioni” që Kosova veriore, e cila sot është e populluar nga serbët të merret nga Serbia, ndërsa Lugina e Preshevës e populluar nga shqiptarët t’i jepet Kosovës”.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste thotë se shtetet shqiptare janë ndoshta të vetmit në Europë që rrethohen në të gjithë kufijtë tokësorë.

“Shqiptarët janë populli me tolerancën më shembullore etnike, fetare, racore dhe kulturore. Kjo është garanci për mbrojtjen e popullsisë së pakicave serbe në Kosovën demokratike dhe evropiane. Në të kaluarën e afërt trojet shqiptare janë copëtuar për të kënaqur lakmitë e pafundme të vendeve fqinje. Ndaj sot shtetet shqiptare janë ndoshta të vetmit në Evropë që rrethohen në të gjithë kufijtë tokësorë nga troje dhe nga popullsi shqiptare të përfshira në shtetet e tjera”.

Ai ka porositur se brenda Kosovës nuk ka tokë serbe, dhe se në bazë të kushtetutës Kosova është një dhe e pandashme.

“Brenda Kosovës nuk ka tokë serbe. Përkundrazi, në vendet e tjera të Ballkanit ka mjaft troje e popullsi shqiptare të asimiluara ose jo. Kosova që festoi shkurtin e kaluar një dekadë pavarësi është një shtet tashmë i njohur nga mëse 110 shtete të botës. Në bazë të kushtetutës së saj, ajo është një dhe e pandashme”.

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, në fund të shënimit thotë se ai inkurajon bisedimet me Serbinë për të gjetur paqen dhe bashkëjetesën përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme që nuk cenon integritetin territorial të Republikës së Kosovës.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48