Zhvillime të papritur në ushtrinë serbe, Vuçiqi e pensionon Dikoviqin

Siç mëson jozyrtarisht B92, në Ushtrinë e Serbisë do të ketë ndryshime të mëdha kadrovike, me iniciativë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 pari në listë që do të largohet do të jetë shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq, i cili do të pensionohet.

Përveç Dikoviqit, i cili është akuzuar edhe për pjesëmarrje në masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës, pa karrige do të mbesin edhe shefat e shërbimeve ushtarake, kurse do të vendoset edhe zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e brigadave Speciale, shkruan lajmi.net.

Sindikata e ushtrisë serbe më 4 korrik të këtij viti ka njoftuar se Dikoviqit më 22 maj i është ndërprerë shërbimi në ushtrinë e Serbisë sipas “forcës së ligjit”.

Dikoviq në prill të këtij viti ka thënë se “nuk mund dhe nuk dëshiron të flas për spekulimet për pensionim”.

Tabloidi “Alo” aso kohe kishte raportuar se Dikoviq mund të largohet qysh në maj, kurse mandati i ka skaduar në qershor të këtij vitit.

“Nuk e kam ditur se i skadon mandati, as kabineti ushtarak nuk me ka paralajmëruar”, kishte thënë aso kohe Vuçiq dhe pati shtuar se “në secilin rast ai është i angazhuar me gjëra tjera, para se gjithash me Kosovën”.

Mediat serbe shkruajnë se shef i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë mund të jetë gjeneral-majori Milan Mojsiloviq, aktualisht ndihmës i ministrit të Mbrojtjës, Aleksandar Vulin.