Ditën e premte dhe të shtunë, Edi Rama u shfaq në Rinas i emocionuar duke pritur zbritjen e avionit të parë me logon e Air Albania.
Avioni, të cilin e kishte pagëzuar “Lasgushi” zbriti në Rinas, duke i dhënë start ceremonisë së inaugurimit që kulmoi me fjalimin plot patos të Ramës se kjo ishte një ëndërr që bëhej realitet.
Për dy ditë me radhë, ra në sy promovimi i papërmbajtur për fluturimin e parë të Air Albania. Avionët u pagëzuan me emrat e poetëve, Lasgushi sot, Migjeni nesër e më vonë Noli. Të nesërmen Rama, në rolin e stjuardesës i uroi udhëtim të mbarë studentëve të ekselencës që udhëtuan me të njëjtin avion drejt Stambollit. E gjitha kjo shfaqje, pasi për muaj me radhë postonte video dhe foto, të të njëjtit avion që ishte në proces lyerjeje.
Por menjëherë pas ceremonisë, një sërë pikëpyetjesh u ngritën mbi aktivitetin që Edi Rama organizoi në Rinas. A ishte avioni i regjistruar në regjistrat shqiptarë? A ka nisur punë vërtet Air Albania? Çfarë inauguroi Edi Rama në Rinas? A ishte e gjitha një show boshe, për të mbushur ekranet e Rilindjes?
Denoncimi u bë fillimisht nga deputeti i PD-së Endri Hasa që publikoi të dhënat online të Albcontrol, të cilat tregonin se avioni që u ngrit ishte në regjistrin turk me kodin TK6888, pra një fluturim shtesë i Turkish Airlines.
Konfirmimi u dha nga eksperti i aviacionit, Dritan Goxhaj i cili shpjegoi në një intervistë për Faxnews se nëse avioni do të ishte i një kompanie shqiptare, do të rezultonte me kodin AZ, që është i regjistrave shqiptarë, por kodi TK tregon se ai është një fluturim i Turkish Airlines.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë rezulton se qeveria ka organizuar një aktivitet dhe një pritje promovuese për një avion fantazëm, për një avion të Turkish Airlines të lyer me bojë me ngjyrat kuqezi dhe me logon e Air Albania.
Pritej që Rama ta përgënjeshtronte me forcë këtë version të historisë, pasi në Rinas kishte folur për ëndrrën që iu bë realitet dhe për fillimin nga puna të kompanisë.
Sepse duket e pabesueshme, që pas gjithë atij aktivitetit, fjalimeve dhe fluturimeve, të zbulohet se avioni i Air Albania nuk ka fluturuar realisht. Duket e pabesueshme që udhëtimi i studentëve të ekselencës drejt Stambollit me avionin e kompanisë Air Albania të mos ketë ekzistuar në dokumentacion dhe kësisoj entuziasmi i Ramës në Rinas të paskësh qenë po aq i rremë.