Sahat Kulla në Rahovec, monumenti që u ka mbijetuar 300 viteve (Video)

E ndërtuar në shekullin XVIII, një ndërtesë paraqet pikën më të lartë në siluetën e Rahovecit.

Bëhet fjalë për Sahat Kullën, e cila paraqet një monument me rëndësi të veçantë historike.

Gjendet në zemër të qytetit dhe është njëra ndër gjurmët e rëndësishme të së kaluarës sonë.

Ky objekt ishte një pikë vrojtimi për shkak të pozitës strategjike.

Shaqajdin Durguti, qytetar i Rahovecit, që është marrë me monumente të vjetra, tregon për historikun e kullës, përcjell Telegrafi.

“Sahat Kulla është e ndërtuar nga Mahmut Pasha në vitin 1791. Është e ndërtuar nga një material shumë i fortë dhe ka shërbyer për të treguar orën”, thotë për RTV Dukagjinin Shaqajdin Durguti.

Kullë është restauruar disa herë, ndërsa i fundit ishte bërë në vitin 2009.

“Mekanizimi i orës ka punuar deri në vitin 1960 dhe kur është prishur këmbana thuhet se ka rënë 111 herë dhe nga ai moment nuk ka punuar më. Supozohet se sa është e lartë është edhe e thëllë dhe poshtë ka një pus me ujë, që ka ndihmuar në funksionimin e orës”, thotë Durguti, i cili shton se ora tashmë nuk punon dhe është vendosur në muzeun e Rahovecit.