Arsyetimi i UP-së për uljen e bursave: Kemi mungesë fondesh

Ditë më parë u publikua vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për uljen e bursave për studentët e dalluar...

Ky vendim u kritikua shumë sidomos pas rritjes së pagave të kryeministrit dhe zyrtarëve tjerë të qeverisë.

Ky vendim i Këshillit Drejtues të UP-së po arsyetohet me fondin e vogël të mjeteve për ndarjen e bursave.

Beqir Sadikaj, anëtar i Këshillit Drejtues ka thënë për lajmi.net se ky vendim ka ardhur me qëllimin që të gjithë studentët që kanë notë 9.0 e lartë të jenë përfitues të bursës.

Përndryshe, sipas tij nëse shuma e bursës do të mbetej e njejtë atëherë studentët do të duhej të kategorizoheshin.

“Kryesisht Këshilli Drejtues e ka pasur parasysh fondin e vogël të mjeteve për ndarjen e bursave edhe në relacion se a me ju dhanë të gjithë studentëve bursa që e kanë notën mesatare 9.0 e tutje, apo me ua zvogëlu, ne e kemi parë të arsyeshme me zvogëlu dhe me ju dhënë të gjithëve, pra mos të bëjmë asnjë lloj kategorizimi”, ka thënë Sadikaj.

Ai thotë se qëllimi nuk ka qenë te dëmtimi i studentëve, por që studentët të mos kategorizohen.

Sadikaj ka bërë të ditur se të hollat për dhënien e bursave grumbullohen nga fondet e brendshme të UP-së, që vijnë nga pagesat e ndryshme.

“Qëllimi kryesor nuk ka qenë që ata se meritojnë, por nuk ka mjete. Mjete për bursa janë që grumbullohen prej fondeve të ndryshme të pagesave. Vendimtare ka qenë se a të bëhet klasifikimi, apo tu jepet gjithë studentëve që kanë notë prej 9 e tutje, dhe ne s’kemi dashur t’i ndajmë”, thotë anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së për lajmi.net

Sadikaj tutje ka theksuar se ata dje kanë marrë një kërkesë nga kryetarja e parlamentit studentor, për të cilën do të ulen dhe do të diskutojnë.

Ai thotë se Këshilli Drejtues po tenton të bëjë një zgjidhje, por nuk kanë shumë mundësi.

“Studentët e kanë shprehur një pakënaqësi pasi edhe atyre ju nevojiten edhe atyre paratë, dhe i meritojnë pasi janë të shkëlqeshëm. Brenda kësaj paknaqësie jemi duke menduar të bëjmë një zgjidhje, por nuk po kemi shumë mundësi nuk e di saktë se çfarë do të bëjmë. E kemi një kërkesë që e ka bërë kryetarja e parlamentit studentor dje për Këshillit Drejtues. Ne do të ulemi javën e ardhshme dhe do të bisedojmë për të parë a ka mundësi të plotësohet”, ka përfunduar Beqir Sadikaj.

Bursat e studentëve janë ulur nga 600 sa kanë qenë vitin e kaluar, në 500 këtë vit.

Për një periudhë 3-4 vjeçare bursat janë përgjysmuar, pasi në vitin 2014 studentët e dalluar kanë marrë mbi 900 euro të holla për arritjet në studime.

Sa i përket këtij viti, vlen të thuhet se konkursi për përfitimin e bursave është hapur nga data 3 janar deri më 18 janar.