Deputetja nuk e mohon që prapa grevave qëndron presidenti Thaçi

Deputetja nuk e mohon që prapa grevave qëndron presidenti Thaçi

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu nuk ka mohuar se prapa grevave të arsimtarëve është duke qëndruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ajo është shprehur se nuk di kujt do t’i kontribuonte askujt.

“Interesi i kujtdo coftë për ta blloku procesin e arsimit në Kosovë nuk di kujt do t’i kuntribojë ose kush kujt. Këtu nuk humb një subjekt politikë as qeveria e Kosovës por humbin prind, fëmijët dhe të gjithë”, ka thënë Haxhiu për Gazetën Insajderi.

Haxhiu ka shpjeguar se “qysh në takimin e komisionit për arsim kemi thënë se grevat nuk janë instrumenti i duhur në këto momente pra është ligji për pagat i cili është për në punë për komisionin për administratë dhe që pritet me ardh në kuvend për leximin e dytë”.

Ndër tjera Haxhiu ka thënë se kërkesa e SBAShK-ut ka një kërkesë absurde për arsyen e mbajtjes së grevës.

“Mirëpo për mua shqetësuese është që kryetari i SBAShK-ut thotë tërhiqni ligjin për pagat ne ndërpresim grevën këtë nuk kam mujt me kuptu. Këtë që e thotë ministri i financave që kjo është një rritje buxhetore atëherë le të jetë rritja sipas, rritjes ekonomike. Mirëpo aktualisht me pezullu procesin mësimor nuk e di kujt po i konvenon jam që të mbahen greva mirëpo tash nuk është momenti”, ka treguar ajo.

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në një mbledhje të jashtëzakonshme kishin vendosur që ta shpallë grevën e përgjithshme në arsim më 14 janar.

Ata nuk janë duke u tërhequr nga greva nëse nuk ngritët 30 përqind koeficenti i mësimdhënësve në projektligjin për paga.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj kishte deklaruar më 14 janar se ai është i obliguar që ta dëgjojë vullnetin e sindikalistëve.

“Më 14 janar i tërë sistemi arsimor do të futet në grevë. Nëse nuk ka ngritje 30 përqind të koeficientëve ne nuk do ta anulojmë grevën”, ka theksuar Jasharaj.