Bashkësia Islame e Kosovës reagon për sulmin në Zelandën e Re

Bashkësia Islame e Kosovës reagon për sulmin në Zelandën e Re

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dënon ashpër sulmin terrorist të ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, në të cilin u ekzekutuan 49 besimtarë myslimanë dhe u plagosën 20 të tjerë që ishin duke falur namazin e xhumasë.

“Dënojmë fuqishëm këtë sulm terrorist të kryer me gjakftohtësi e paramendim ndaj besimtarëve të pafajshëm, të cilët në momentin e krimit ishin duke iu lutur Krijuesit të Gjithësisë. Ekzekutimi i njerëzve që i përkasin një besimi apo një etnie tjetër, parqet një akt terrorist kundër njerëzimit, vlerave humane dhe atyre hyjnore. Tashmë terrorizmi është një nga sfidat kryesore të botës moderne, ndaj të cilit bota e lirë duhet të jetë unike dhe e pakompromis, në luftën kundër kësaj të keqeje që ka marrë përmasa globale”, thuhet në një reagim të tyre.

Me këtë rast, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës thotë se bashkëndien dhembjen me familjarët e viktimave të cilëve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndërsa të lënduarve u dëshiron shërim sa më të shpejtë.

“Lusim Zotin që viktimat e këtij akti terrorist t’i mëshirojë, ndërsa aktet të tilla të dhunës e terrorit të mos përsëriten askund në botë”, përfundon reagimi.