Kurti: Terroristi në Zelandën e Re u frymëzua nga gjenocidi i Radovan Karaxhiqit

Kurti: Terroristi në Zelandën e Re u frymëzua nga gjenocidi i Radovan Karaxhiqit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit terrorist që ndodhi në dy xhami në Zelandën e Re. Ka thënë se secili akt terrorizmi ngjall dëshpërim e keqardhje dhe u ka shprehur ngushëllime mbarë njerëzimit. Kurti ka përmendur këngën për Karaxhiqin që e dëgjonte terrotisti shton se ky gjest vërteton se terroristët marrin frymëzim nga gjenocidet.

“E sa i përket frymëzimeve nga kohët moderne, kënga çetnike për Karaxhiqin që dëgjonte njëri nga terroristët, veçse e vërteton edhe një herë se terroristët marrin frymëzim nga gjenocidet. Ideologjitë që kanë shkaktuar gjenocid duhen dënuar botërisht, e duhen çrrënjosur siç u bë në Gjermani pas Luftës së Dytë, që të mos mund të helmojnë më njerëz të tjerë”, shkruan Kurti, transmeton Gazeta Express.

Reagimi i plotë i Kurtit:

Secili akt terrorizmi ngjall dëshpërim e keqardhje. Ndërkohë që u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave dhe Zelandës së Re, nuk mund të mos e shpreh ngushëllimin e thellë për mbarë njerëzimin. Sepse në versionin tim të njerëzimit, terroristët nuk janë kurrë as “tanët” as “të tyret”, por një fenomen i dënueshëm i cili duhet trajtuar në shkaqet e tij më të thella, për t’u parandaluar. E sa për viktimat, kudo në botë, ata janë të gjithë tanët, pavarësisht bindjeve, besimeve, prirjeve, dukjes e përkatësive të tjera që kanë.

Shumë terroristë të të gjitha anëve thonë se frymëzohen nga luftëtarë mesjetarë, por kjo nuk e bën mesjetën terroriste, dhe absolutisht nuk bën të pranohet frymëzimi i tyre si objektiv. E sa i përket frymëzimeve nga kohët moderne, kënga çetnike për Karaxhiqin që dëgjonte njëri nga terroristët, veçse e vërteton edhe një herë se terroristët marrin frymëzim nga gjenocidet. Ideologjitë që kanë shkaktuar gjenocid duhen dënuar botërisht, e duhen çrrënjosur siç u bë në Gjermani pas Luftës së Dytë, që të mos mund të helmojnë më njerëz të tjerë.

Nëpër media botërore flitet për “frymëzim ballkanik”, por na duhet t’i tregojmë botës një shembull të mirë, atë të shqiptarëve, që e kanë themeluar identitetin e tyre te pranimi dhe përfshirja përmes bashkëjetesës e bashkëpunimit e feve të ndryshme, zakoneve e dialekteve të ndryshme, por edhe minoriteteve. Nëse duan të marrin frymëzim nga Ballkani, le të marrin këtë, e jo atë të përbindshave gjenocidalë.