Protestuesit kanë filluar rrethimin e qeverisë në Tiranë

Ish deputeti i partisë Demokratike, Flamur Noka mbajti fjalën para protestuesve, në nisje të protestës së opozitës.

Në fjalën e tij Noka tha se kjo është protesta më e madhe në historinë e vendit, ndërsa konfirmoi thirrjen ndaj kryeministrit Rama, për t’u larguar.

“Koha e fjalëve ka mbaruar dhe tani është koha e veprimit. Na ndiqni, sepse kjo është protesta më e madhe në histori. Rama ik”, tha Noka në fjalën para protestuesve.

Ndërkohë, një pjesë e protestuesve po ecin në rrugët përreth kryeministrisë, për të bërë rrethimin e objektit. Nuk kanë munguar as tymueset dhe objekte të tjera, të hedhura në drejtim të godinës.

Fjala e Flamur Nokës para turmës së protestuesve:
Të tregojmë se dimë të protestojmë. Të ju tregojmë se përfaqësojmë vlerat tuaja, vlerat e qytetrimit. Ne do të marshojmë, kjo protest do të jetë marshim.
Përshëndetje vëllezër dhe motra. Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo është protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë historia. Kjo është shenjë e revoltës më të madhe popullore ndaj një regjimi. Rama ik!!
Rama ik, se nuk përballon revoltën e popullit ndaj teje dhe bandës tënde.
Ne sot po bëjmë një muaj nga dita kur ju qytetarët e Shqipërisë, populli shqiptar, vendosi të shkruajë historinë e vet. Është dita kur këto zyra, ky kryebandit që është i strehuar aty mori një mesazh. Dhe mesazhi çdo ditë e më shumë kumbon “Rama ik, Rama ik”.
Rama ik, se ti nuk mundesh të rrish më në atë karrige. Ti mund të ikësh kudo, por je i rrethuar, kudo që të shkosh, je i rrethuar nga revolta e popullit tënd. Je i rrethuar nga përbuzja e qytetarëve të tu, që i ke shkelur, i ke dhunuar dhe i ke varfëruar. Rama ik!