Gjuriq sulmon partinë e Albin Kurtit, pasi nuk votoi për certifikimin e Listës Serbe

Gjuriq sulmon partinë e Albin Kurtit, pasi nuk votoi për certifikimin e Listës Serbe

Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe për kryetarë të katër komunave veriore shkaku i Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxitur reagime të ashpra të Beogradit.

Ai që reagon zakonisht, shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të partisë së Kurtit, duke e quajtur si lëvizje fashiste e shoviniste.

Ai në një konferencë për medie, ka thënë se ndalimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, është mohim i të gjitha të drejtave politike për tërë popullin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se serbët janë të pranishëm në çdo institucion të Kosovës, mirëpo ajo çfarë sot ka ndodhur është e pakuptimtë. Gjuriq në këtë konferencë, po ashtu, ka bërë të ditur se vendimet që do t’i marrë Lista Serbe do të bëhen pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeverinë dhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Gjuriq, Lëvizjen Vetëvendosje e ka quajtur Lëvizje Fashiste dhe Shoviniste, pasi që anëtarët e saj abstenuan për certifikimin e kandidatëve serbë. “Përfaqësuesit e Lëvizjes fashiste dhe shoviniste Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sot kanë paraqitur masat e ndarjes kombëtare dhe serbët janë formalisht të privuar nga statusi i të qenit njeri i lirë në Kosovë”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai ka thënë se pavarësisht se si ka vepruar Kosova ndaj Listës Serbe dhe serbëve, ai ka thënë se Serbia, si shtet demokratik dhe përgjegjës, nuk do t’ua mohojë të drejtat civile dhe politike shqiptarëve, sepse, siç thotë ai, “një çmenduri dhe papërgjegjshmëri e tillë e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të shkrihet me reciprocitet”.

Ai ka drejtuar edhe kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare për këtë veprim.

“Është e pabesueshme që gjëra të tilla ndodhin para syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila, pa ndonjë përgjigje efektive, shikon në të gjitha manifestimet më shkatërruese të tërbimit politik në Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

Vetëvendosja ndërkohë thotë se nuk voton për certifikimin e tyre, derisa ata nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.