• E mërkurë / Nov-20 09:55
  • Kontakt

Kryemadhi: Shqiptarët kanë nevojë për shtet dhe institucione

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka reaguar një ditë pas protestës së organizuar dje nga opozita e bashkuar.

Kryemadhi ka shkruar në rrjetet sociale se shqiptarët kanë nevojë për shtet dhe institucione që i shërbejnë atyre.

“Protesta e djeshme u shoqërua gjatë gjithë kohës nga dritat e shpresës të mijëra qytetarëve, që marshuan paqësisht në rrugët e kryeqytetit. Mbrëmë, Tirana dhe e gjithë Shqipëria përjetoi marshimin historik, që mbart në vetvete historinë e një kombi me shumë vuajtje dhe me një tranzicion të pafundëm dhe të lodhshëm, që duket se po i vjen fundi!

Mbrëmë më shumë se kurrë, nën qiellin e mbuluar me balona të bardha dhe nën dritat e celularëve, shqiptarët përcollën mesazhin se kanë nevojë për një shtet dhe institucione që t’i shërbejnë atyre.

Se nuk duan më kurrë të ndihen jetimë në shtëpinë e tyre! Se kanë nevojë për një lider normal, një njeri të thjeshtë njësoj si ata, që shqetësohet dhe punon për një arsim me standarte, një shëndetësi të barabartë, një shtet të drejtë ku të gjithë përgjigjen njësoj para ligjit, për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme që i jep mundësi punësimi të gjitha shtresave shoqërore, për taksa të ulta, por mbi të gjitha ku sistemi të ngrihet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme!”, shkruan ajo.