• E mërkurë / Jul-09 19:16
  • Kontakt

Presidenti Thaçi e shkarkon punëtorin e shërbimit sekret serb që e kishte këshilltar

Presidenti Thaçi e shkarkon punëtorin e shërbimit sekret serb që e kishte këshilltar

Pas raportimit të televizionit T7, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që të shkarkojë nga posti i këshilltarit, Branislav Nikolicin.

Televizioni T7 dje kishte raportuar se Nikolic kishte qenë pjesë e shërbimit të Inteligjencës së Serbisë (BIA).

Nikolic ka punuar si këshilltar i presidentit Hashim Thaçi që nga viti 2016.

Në njoftimin për shkarkimin e tij, zyra e Thaçit thonë se nuk kanë pasur informacione paraprake lidhur me zyrtarin që ka këshilluar presidentin për tre vite rresht.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”.

Megjithatë nga zyra e Thaçit thonë se bazuar në raportimet e mediave, e kanë liruar nga detyra, Branislav Nikolicin.

“Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikolic”, thuhet tutje në njoftim.

“Presidenti Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit”, thuhet në fund të njoftimit.