Pasojat që mund t’i sjellin përleshjet mes politikanëve

Pasojat që mund t’i sjellin përleshjet mes politikanëve

Nga debati në sharje dhe në ofendime. Nga fyerjet në sulme dhe në përleshje fizike. Kështu janë duke funksionuar disa prej kundërshtarëve politikë gjatë javëve të fundit para zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Një praktikë e tillë është dënuar ashpër nga shoqëria civile.

Valmir Ismaili, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci Plus” (D+), i ka cilësuar të pahijshme përplasjet mes pretenduesve për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është aspak e hijshme të shohësh kandidatët që mëtojnë të përfaqësojnë popullin në të ardhmen duke debatuar në një nivel aq të ulët dhe që eskalon më tutje edhe në përleshje fizike”, ka deklaruar ai.

kryesor për këtë sipas Ismailit pa dyshim e bartin protagonistët e këtyre rasteve, por nga faji nuk amnistohen as partitë politike, që sipas tij lejojnë të përfaqësohen nga persona të tillë. Në kuadër të kësaj drejtori ekzekutiv i D+ nuk ka lënë pa fajësuar as mediet, të cilat sipas tij jashtë fushatës zgjedhore kanë filluar të organizojnë debate zgjedhore.

“Duke mos pasur programe zgjedhore që të paraqesin, përfaqësuesit e subjekteve politike po degradojnë debatin në çështje personale dhe në thashetheme”, është shprehur ai.

Ismaili më tutje ka konsideruar se rastet e tilla të përleshjeve mund të çojnë deri te tensionet e panevojshme mes përkrahësve të partive politike.

“Natyrisht që këto raste ndikojnë në nxitje të një tensioni të panevojshëm ndërmjet subjekteve politike, por edhe në mes të simpatizantëve të tyre. Prandaj ekziston rreziku që përleshje të tilla të përsëriten edhe në nivele tjera. Për më tepër, raste të tilla mund të ndikojnë që të humbë besimi në sistem zgjedhor dhe qytetarët e thjeshtë të mos dalin fare në zgjedhje”, ka nënvizuar Valmir Ismaili.