Gjashtë palë zgjedhje parlamentare janë mbajtur që nga çlirimi. Në të gjitha këto procese zgjedhore ka pasur një numër të konsiderueshëm të fletëvotimeve të pavlefshme. Në parlamentaret e para në vitin 2001, kur ishte pjesëmarrja më e madhe në votime, ishin rreth 12 mijë fletëvotime të pavlefshme.
Nga atëherë pjesëmarrja në votime ka rënë, por ka shënuar rritje numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Në zgjedhjet e fundit ishin 42 mijë e 554 të tilla. Këto shifra janë alarmante, thotë për Radio Kosovën Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Në zgjedhjet e kaluara të viti 2017 janë shënuar trendët më të larta të fletëvotimeve të pavlefshme. Kjo është një shifër alarmante dhe në bazë të auditimit të fletëvotimeve të pavlefshme del se pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur si rezultat i mos informimit të duhur të votuesve për mënyrën dhe format e votimit”, tha Cakolli.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tregon rastet më të shpeshta të fletëvotimeve të pavlefshme, bazuar në një analizë që kanë bërë për këtë çështje pas zgjedhjeve të vitit 2017.
“Në përgjithësi dy janë problemet më të mëdha sa i përket fletëvotimeve të pavlefshme. Në bazë të këtyre të gjeturave, zgjedhja e numrave të kandidatëve pa e zgjedhur subjektin politik është më e shfaqur në rreth 46% të rasteve, ndërkaq zgjedhja e më shumë se një subjekti politik është arsyeja e dytë, se pse fletëvotimet janë shpallur të pavlefshme”, tha ai.
Elezi tha se së shpejti do të fillojnë fushatën informuese për procesin e votimit.
Në mënyrë që askujt mos t’i shkojë vota huq, Elezi u bën thirrje votuesve që në ditën e votimit, të zgjedhin vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotim deri në 5 kandidatë për deputetë.
Ai tha se nëse votuesi zgjedh dy subjekte politike fletëvotimi shpallet i pavlefshëm.
Ndërsa, nëse votuesi voton më shumë se 5 kandidatë, vota i numërohet vetëm subjektit politik.