Haradinaj priti në takim anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve

Haradinaj priti në takim anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve

Siç njofton kumtesa, me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se është një evidencë e punëve që janë kryer, por edhe të atyre që i presin, siç është zbatimi i Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, miratimi i koncept-dokumentit dhe hartimi i Ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara, mbështetja dhe rehabilitimi i këtyre personave, duke thënë se Qeveria ka qenë e hapur ndaj gjitha kërkesave, me theks Ditës Ndërkombëtare të personave me aftësia të kufizuara.

“Kemi një listë te temave që duhet t’i kryejmë bashkë, udhëzime të tjera, akte nënligjore për pajisje ndihmëse dhe rehabilitim për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë, zbatimi i ligjit për punësim, planit të veprimit, listës gjithëpërfshirëse, sigurimi i mbështetjes për organizatat, si dhe funksionalizimi i Këshillit Nacional për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se kushdo që vije në krye të Qeverisë së ardhshme, nuk duhet bërë dallime në këto tema, por t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj kategorie, duke theksuar se është nder për të gjithë, fakti që ka filluar zbatimi për paraplegjikët, por edhe për personin që kujdeset për ta.

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen, duke thënë se gjithmonë ka gjetur kohë që t’i shtyjë përpara proceset. “Duhet të jemi në hap me kohën, të konkurrojmë me shtetet e rajonit, në mënyrë që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të realizohen në masë sa më të mirë”, tha Maliqi.

Më tej, Maliqi tha se edhe ata kanë të drejtë të kenë qasje, punësim, edukim, të përfshihen dhe të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e vendit, dhe kjo mund të arrihet me një mobilizim jo vetëm të shoqërisë, por të të gjitha institucioneve, në mënyrë që kjo të arrihet.

“Jemi përjetësisht mirënjohës, në veçanti për fillimin e zbatimit të Ligjit për të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, i cili e ka ndryshuar jetën e këtyre personave, e ka ngritur mirëqenien e tyre, të cilët sot kanë një jetë më të dinjitetshme sesa kanë pasur para dy vjetëve”, tha drejtori i HANDIKOS.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ajo që ka bërë është vetëm kryerja e detyrave që ka pasur, të zbatojë një të drejtë që e ka paraparë ligji, por që ka kërkuar zbatim, dhe ndihet mirë që ajo pjesë tashmë është e përfunduar.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, ka dëgjuar shqetësimet e anëtarëve të shoqatës HANDIKOS, prej të cilëve ka marrë edhe një dokument në të cilin tregohet në detaje situata në të cilën gjenden ata.

Anëtarët e shoqatës HANDIKOS e kanë falënderuar kryeministrin në detyrë Haradinaj për gjithë mbështetjen e madhe që ua ka dhënë personave me nevoja të veçanta.