Ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të tërhiqet apo do të vazhdojë të insistojë që votimi për anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që mbahet në gjysmën e tetorit të këtij viti në Kili. Njohësit e çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë si të dështuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Ndërkohë në Qeveri po deklarohen se do përpiqen edhe një herë ta anëtarësojnë vendin në këtë organizatë.
Gentiana HASANI
Në janar të këtij viti, Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe kjo kërkesë është pranuar nga kjo organizatë, që të procedohet për t’u futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Kili pas më pak se një muaji, pra në tetor të këtij viti.
Rreth tetë herë, institucionet e Kosovës kanë dështuar që të kalojnë me sukses fazën e anëtarësimit në Organizatën më të madhe Ndërkombëtare të Policisë në botë, pra në INTERPOL. Që nga viti 2008 vendi bën përpjekje për anëtarësim.
Njësoj pritet të veprojë edhe sivjet, duke bërë kështu përpjekjen e nëntë për anëtarësim. Por gjasat që vendi të futet në agjendë, janë të vogla.
Kështu deklaron për Gazetën Express, Behar Selimi, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, tash eksperti i çështjeve të sigurisë.
Ai thotë se edhe këtë vit sipas të gjitha gjasave aplikimi do të dështojë.
“Unë në bazë të analizave dhe punëve që po bëhen rreth procesit mund të ju them se edhe ky vit, do të jetë vit i humbur për anëtarësim në INTERPOL”, thotë Selimi.
Megjithatë, ai deklaron se Kosova është e përgatitur profesionalisht për anëtarësimin jo vetëm në INTERPOL, por edhe në organizata të tjera më të mëdha të sigurisë në botë.
“Unë mendoj se organizata jonë policore i ka përmbushur kriteret shumë vite më parë dhe është shumë më kompetente se gjysma e organizatave policore të shteteve anëtare të INTERPOL-it. Në këtë fushë nuk na mungon kompetenca as profesionale as organizative, edhe për INTERPOL edhe për organizatat tjera, duhet të kenë parasysh”, deklaron ai.
Por Qeveria e Kosovës e cila po merret me lobimin e vendit për anëtarësim në këtë Organizatë Ndërkombëtare të Sigurisë në vend, pak di rreth procesit të Kosovës për anëtarësimin e mundshëm në INTERPOL.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka deklaruar për Express se Kosova ka parashtruar kërkesën për futje në agjendë për këtë vit. Ai thotë se janë duke u koordinuar me akterët ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje. Por për procesin tjetër, pra atë të lobimit, Mustafa i tha Expressit se duhet pyetur zyrtarët e Ministrisë Punëve të Jashtme.
“Unë mund të ju konfirmoj se ne jemi duke u konsultuar me akterët ndërkombëtarë rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Po presim tash të shohim procesin se si shkon”, thotë Mustafa.
Pyetur rreth lobimit për mosanëtarësim të Kosovës në INTERPOL nga ana e zyrtarëve serbë, Mustafa është shprehur se nuk merren me deklaratat e tilla.
“Ne nuk merremi me deklaratat e zyrtarëve serbë rreth anëtarësimit tonë në INTERPOL. Ata ia kanë frikën anëtarësimit të Kosovës aty”, deklaron Mustafa.
E Ministria e Punëve të Jashtme i tha Expressit se është duke e monitoruar situatën. Kështu ka deklaruar zëvendësministri në MPJ, Anton Berisha.
“Aplikimi ka nisë në muajin e parë të këtij viti. Ky është një proces të cilit i jemi nënshtruar dhe po e presim të vijojë. Tash jemi në një tranzicion të Qeverisë, s’e di se si do të shkojë i gjithë procesi”, ka thënë Anton Berisha.
Kujtojmë se Kosova këtë vit po e bën përpjekjen e nëntë për anëtarësim në INTERPOL. Ndërkaq, Angola do të jetë vendi raportues, i cili do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Të dyja këto vende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
E tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.