Presidenti i Kolumbisë: Maduro është sikur Millosheviqi

Presidenti i Kolumbisë: Maduro është sikur Millosheviqi

Presidenti i Kolumbisë e krahasoi Nicolas Maduron me Kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviq, duke paralajmëruar se do të bënte marrëzi nëse vendos ta sulmojë fqinjin i cili e gëzon përkrahjen e SHBA.

Ivan Duque Marquez i ka bërë këto komente në një intervistë dhënë agjencisë AP para udhëtimit në Nju Jork, ku pritet ta dënojë Maduron para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si një autokrat i dhunshëm.

Duque beson se Maduro nuk është përgjegjës vetëm për katastrofën humanitare në vend, por tani është edhe kërcënim për stabilitetin rajonal sepse ofron strehë të sigurt për kryengritësit kolumbianë.

“Brutaliteti i Nicolas Maduros është i krahasueshëm me atë të Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë Duque, i cili i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale ta hetojë Maduron për shkak të shkeljes së drejtave të njeriut.

Duque ka thënë se çdo agresion i forcave të armatosura të Venezuelës momentalisht do të shkaktonte përgjigje rajonale e cila do të përfshinte sanksione shtesë dhe aksione diplomatike.

“Nëse mendojnë të bëjnë ndonjë marrëzi të tillë, duhet të dinë se cilat do të jenë pasojat”, ka thënë Duque, i cili e ka forcuar presionin ndaj Maduros javëve të fundit pasi një grup i kryengritësve komunistë ka vendosur ta ndërpresë procesin paqësor historik në Kolumbi dhe të fillojë përsëri luftë kundër shtetit, e të cilët janë strehuar në Venezuelë.

Në KB pritet që lideri i Kolumbisë ta akuzojë Maduron për shkelje të rezolutë së Këshillit të Sigurimit sepse po i fshehë kryengritësit.