Synimet e kamotshme të Kosovës që të jetë pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor – INTERPOL, ka mundësi të dështojnë edhe këtë vit. Janë 18 shtete nga Oqeania, të cilat, sipas zyrtarëve të diplomacisë kosovare, nuk do të mundë të marrin pjesë në Asamblenë e INTERPOL-it shkaku i shpenzimeve, vota e të cilave do të ishte determinuese për anëtarësimin e vendit në organizatën ndërkombëtare të Policisë. Për Express detaje rreth anëtarësimit ose jo të Kosovës në INTERPOL, ka dhënë të martën Behxhet Pacolli.
Kosova ka pak gjasa që edhe gjatë këtij viti të futet në agjendë për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Sigurisë (INTERPOL), e cila mban punimet prej sot, pra nga 15 deri më 18 tetor në Kili.
Mospjesëmarrja e shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it mund t’i kushtojë vendit me mosanëtarësim. Kështu deklaron për Express, shefi në detyrë i diplomacisë kosovare, Bexhet Pacolli.
Pacolli në një deklaratë për Gazetën Express ka lënë të kuptohet se mungesa në Asamble e këtyre 18 shteteve mund t’i kushtojë Kosovës me mospranim në INTERPOL.
“Ne në koordinim me Qeverinë jemi duke punuar në këtë drejtim. Unë e shoh një problem mosardhjen e 18 shteteve që na kanë njoftë nga Oqeania. Ata siç duket nuk do të mundë të marrin pjesë. Shkaku janë largësia e shpenzimet. Në Asamble, po ashtu, do të mungojnë edhe disa shtete afrikane të cilat, po ashtu, na kanë njoftë”, ka deklaruar për Express Pacolli.
Tutje ai ka thënë se zyrtarë nga Qeveria e Kosovës po i kontaktojnë disa shtete për të diskutuar rreth qëndrimeve të tyre karshi anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
“Ne po i vlerësojmë të gjitha notat verbale që i kemi. Për anëtarësim ju e dini që duhen 2/3 e shteteve prezentë dhe për fat të keq ne sot kemi të bëjmë me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaron Pacolli.
Ai ka folur edhe për lobimin që po e bëjnë autoritetet serbe për mospranimin e Kosovës në INTERPOL. Sipas tij, Serbia po lobon edhe në shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën.
“… po tentojnë edhe te shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë çu delegacione por është e kotë. Ne në anën tjetër jemi në kontakt me këto shtete, po i kontaktojmë në mënyrë që t’i bindim të mos e ndërrojnë qëndrimin”, ka deklaruar për Express Pacolli.
Në Lyon të Francës në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të INTERPOL-it në qershor ishte debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe është vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Kili. Ditë më parë nikoqirët nga Kili ua kanë dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.
E megjithëkëtë njohësit e çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë si të dështuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kështu deklaron për Gazetën Express, Behar Selimi, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, tash ekspert i çështjeve të sigurisë. Ai thotë se edhe këtë vit sipas të gjitha gjasave aplikimi do të dështojë. “Unë në bazë të analizave dhe punëve që po bëhen rreth procesit mund të ju them se edhe ky vit, do të jetë vit i humbur për anëtarësim në INTERPOL”, thotë Selimi.
Megjithatë, ai deklaron se Kosova është e përgatitur profesionalisht për anëtarësimin jo vetëm në INTERPOL, por edhe në organizata të tjera më të mëdha të sigurisë në botë.
“Unë mendoj se organizata jonë policore i ka përmbushur kriteret shumë vite më parë dhe është shumë më kompetente se gjysma e organizatave policore të shteteve anëtare të INTERPOL-it. Në këtë fushë nuk na mungon kompetenca as profesionale as organizative, edhe për INTERPOL edhe për organizatat tjera, duhet të kenë parasysh”, deklaron ai.
Ndërkaq, Angola do të jetë vendi raportues, e cila do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Të dyja këto vende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. E tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.