Skandalet në Policinë e Kosovës – Kërkohet dorëheqja e Rashit Qalajt

Skandalet në Policinë e Kosovës – Kërkohet dorëheqja e Rashit Qalajt

Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, ka kërkuara dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, për shkak të skandaleve në polici.

Sipas Elezit me doreheqjen e Qalajt që është i përfshirë edhe në skandalin me gazin lotsjellës, për të cilën raportoi Insajderi, do t`i hapeshin rrugë reformave në policinë e Kosovës.

“Ne si IKSN, mendojmë se pas zhvillimeve të fundit të drejtorisë për krime ekonomike, ku janë arrestuar 5 zyrtarë nën dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe përfshirjes së policisë së Kosovës së Kosovës në shitjen gazit lotsjellës me policisë shqiptare, drejtori i Policisë së Kosovës Rasishit Qalaj duhet te jap dorëheqje, dhe kështu ti hap rrugë reformave ne polici”, ka thënë Elezi

Gazeta Insajderi ka zbuluar se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri. Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

Implementimi i tij duhet të bëhej nga drejtori Qalaj, njeri i lidhur dhe i dëgjueshëm i PDK-së së themeluar nga Thaçi.

Po ashtu, pjesë formale e implentimit do të duhej të ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme. Atëkohë, këtë post e mbante Ekrem Mustafa, i cilësuar nga kritikët e opozitarët si ministër analfabet dhe i padijshëm.

Insajderi ka siguruar letrën që Mustafa ia kishte dërguar shefit të tij, Behgjet Pacollit. Duhej formalisht edhe “vula” e Pacollit për marrëveshje ndërkombëtare.

Ky nuk është skandali i vetëm në policinë e Kosovës gjatë mandatit të Qalajt, deri tash katër hetues të krimeve ekonomike e korrupsionit, përfshirë Sylë Bejtën, Naim Thaçin, Lavdim Osmanin, Lutfi Menxhiqin, janë arrestuar brenda disa muajve pasi janë të përfshirë në veprime të kundërligjshme përfshirë edhe haraçin ndaj bizneseve.

Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit, udhëhiqet nga Bashkim Spahiu, që është krahu i djathtë i drejtorit të përgjithshëm të policisë Rashit Qalaj.

Inspektorati Policorë, javën e kaluar e kapi në flagrancë Lavdim Osmanin, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë, duke marrë mbi 1 mijë euro nga një qytetar, i cili po ashtu u arrestua.

Gazeta Insajderi ka mësuar se Osmani si krye hetues i Prishtinës ka qenë udhëheqësi i një grupi të policisë, të cilët dyshohet se u kanë vënë haraç bizneseve.

Ai dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave.

Osmani është tezak i Bashkim Spahiu, drejtor i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

“Me të arrestuarin e IPK-së kam një relacion familjar. Do të thotë jemi tezak. E për më shumë nuk isha lëshu që të komentoj”, ka thënë Spahiu në konferencën e sotme për media.

Në aksionin e Inspektoratit policorë u arrestua edhe hetuesi i dytë i krimeve ekonomike, Lutfi Menxhiqi.  Ndaj të dyve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.