Kryetari i Aleancës për Shqiptarët priti në takim përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët priti në takim përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës

Sot në zyrat e Aleancës për Shqiptarët kryetari Ziadin Sela dhe nënkryetari Elmi Aziri pritën në takim zyrtar nënkryetaren e Partisë për Veprim Demokratik, e njëherit edhe kryetare e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, këshilltarin e këtij këshilli, Enkel Rexhepi si dhe Këshilltarin e Kuvendit Komunal nga radhët e PVD-së si dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Përgjithshme Rinor Krasniqin.

Temë diskutimi e takimit në fjalë ishte situata e përgjithshme politike në Preshevë dhe në vend, si dhe gjendja e shqiptarëve në Luginë.

Në këtë drejtim nënkryetarja e PVD-së Ardita Sinani njoftoi kryetarin Sela edhe për një fenomen shumë të mbrapshtë që po ndodhë në Preshevë, dhe për të cilin pak flitet në opinion e sidomos në kuadër të dialogut BE-Serbi dhe që ka të bëjë me tendenca të spastrimit etnik me të cilin Serbia për të ulur numrin e popullsisë shqiptare po bën fshirjen nga librat amë të shqiptarëve të Luginës që përkohësisht jetojnë dhe punojnë në diasporë.

Kryetari Sela në lidhje me situatën në Luginën e Preshevës premtoi që do ta adresojë këtë problem dhe gjithë problemet tjera me të cilat përballen pa të drejtë shqiptarët atje tek faktori ndërkombëtar, ndërkaq theksoi se pas 12 prillit problemet e shqiptarëve të Luginës do të jenë edhe problem i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Veç tjerash kryetari Sela potencoi se pas ardhjes në pushtet të Aleancës për Shqiptarët, bashkëpunimi bilateral mes Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut do të intensifikohet edhe më shumë.

Takimi u vlerësua si shumë konstruktiv nga të gjitha palët, duke i shkëmbyer edhe eksperiencat e ndërsjella për të arritur rezultate më të mira për të mirën e të gjithëve.