Si ndërtohet një qytet?

500 miliardë dollarë për një metropol sa dy Kosova, por në shkretëtirë: Arabia Saudite po planifikon një projekt futurist buzë Detit të Kuq. Mbi ndërtimin e qytetit – dikur dhe sot.

Në çdo përrallë ka një të vërtetë. Ose disa të vërteta. Ka përralla, të cilat synojnë të zgjojnë kureshtjen e fëmijëve. Dhe ka përralla për të rritur, të cilat zgjerojnë horizontin e fantazisë ose rrëfejnë disa të vërteta nga e kaluara e largët apo e afërt. Shkrimtari zvicerano-gjerman Hermann Hesse ka shkruar një përrallë, e cila është përjetësisht aktuale dhe mban titullin “Qyteti”. Aty shpjegohet se si janë themeluar qytetet gjatë historisë së njerëzimit. Shpesh për vendndodhjen e një qyteti ka vendosur rastësia dhe jo planifikuesit. Njerëzit së pari i afroheshin një lumi, shihnin një urë mbi të ose e ndërtonin një urë. Lumi dhe ura krijonin shenjën e kryqit. Ose udhëkryqit. Lumi është burim i jetës. Ofron ushqim (peshk), shërben si rrugë për transport të mallit, ka gurë për ndërtimin e shtëpive, uji i lumit po ashtu mund të shfrytëzohet për ujitjen e kopshteve, arave, për shuarjen e etjes së bagëtive, mbajtjen e higjienës së njerëzve. Kjo është zanafilla e qytetit. Me njerëz dhe me bagëti. Aty ku ka lumë, mund të ndërtohet edhe një mulli. Së paku një mulli. Rreth mullirit hapin dyqanet lëkurëpunuesit, nga deltina mjeshtrit bëjnë enë, nallbanët mbathin kuaj, farkëtarët përpunojnë hekurin. Urat mbi lumenj jo rrallë kanë shërbyer edhe si pika kufitare, ku tregtarët kanë paguar doganë. Në përrallën e tij Hesse shkruan se kështu nga ndërtimi i disa shtëpive bëhet vendlindja, atdheu, mëmëdheu.

***

Lewis Mumford (1895-1990), njëri prej kritikëve më me ndikim të arkitekturës, ka shkruar se qyteti “është e arritura më e madhe e civilizimit”. Idetë e mëdha të njerëzimit e kanë zanafillën në qytete, andaj gjatë historisë qytetet edhe janë shkatërruar shpesh si pasojë e luftërave, përleshjeve mes fuqive të mëdha, tërbimit të strategëve dhe pushtuesve. Ose janë bërë rrafsh me tokë pas tërmeteve. Pastaj mendja dhe kreativiteti i njerëzve i kanë ngritur sërish qytetet, i kanë bërë të banueshme, qendra të kulturës, dijes, ekonomisë, kreativitetit, anarkisë, trendëve të modës dhe kulinarisë.

***

Kështu ishte e kaluara, nganjëherë e treguar edhe përmes përrallës, siç bëri Hermann Hesse. Një qasje tjetër ndaj qytetit ka paralajmëruar Arabia Saudite këto ditë. Mbretëria e Gjirit Persik ka bërë të ditur se po planifikon të ndërtojë një qytet në shkretëtirë, buzë Detit të Kuq. Një ëndërr urbanistike apo një vizion horrori? Mbetet të shihet. Projekti është gjithsesi i pazakonshëm dhe do të kushtojë 500 miliardë dollarë. Ose afërsish nja 300 buxhete të Kosovës. Përballë kësaj shume marramendëse mund të mendohet se Arabia Saudite ka para si zalli. Por kjo s’është e vërtetë. Resurset e naftës herët apo vonë do të shteren, ndërsa popullsia e Arabisë Saudite është shumë e re – 70 për qind e 20 milionë banorëve të këtij vendi janë nën moshën 30-vjeçare. Princi i Kurorës, Mohamed Bin Salman, ka vendosur ta reformojë Mbretërinë për t’ia siguruar mbijetesën edhe familjes së tij. Bin Salman po ua kthen shpinën klerikëve fanatikë dhe të vrazhdë, të cilët hedhin poshtë barazinë e grave dhe predikojnë disa norma kinse morale e islamike, por ato norma s’kanë të bëjnë fare as me fe, as me moral, janë veçse mbetje të një shoqërie të organizuar në baza patriarkale. Bin Salman brenda një kohe të shkurtër ka lejuar që gratë të drejtojnë automjetet, ia ka shkurtuar kompetencat policisë së urryer fetare, në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, janë hapur kinema për të dy gjinitë. Burra e gra shikojnë bashkë filma. Në vitin 2017. 30 vjetët e fundit “nuk kanë qenë normale”, tha princi në një intervistë për gazetën globale britanike “Guardian”. Në vitet ‘70 në Arabinë Saudite kishte kinema. Me forcimin e selafistëve (vahabistëve) nuk u mbyllën vetëm kinematë, por edhe mendjet e njerëzve. Gratë u mallkuan të jetojnë në rrethe familjare, ndërsa burrat bëheshin sikur po punonin në administratën shtetërore. Për disa dekada ky “koncept” ekonomik funksionoi, por asnjë shoqëri nuk mund të mbijetojë dhe të sigurojë mirëqenien duke përjashtuar gratë nga jeta publike dhe nga procesi i punës. Sa absurde janë ndalesat në Arabinë Saudite tregon ky fakt: çdo fundjavë të rinjtë nga Riadi udhëtojnë 500 kilometra për të arritur në Bahrejn – vetëm për të shkuar në kinema.

***

Megaqyteti futurist në Detin e Kuq do të quhet “Neom” dhe do të jetë 26.500 kilometra katrorë i madh - pak më i madh se dy territore të Kosovës, ose vetëm pak më i vogël se territori i tërë Shqipërisë. Faza e parë e projektit pritet të përfundojë në vitin 2025. Paramendojeni një qytet që fillon në Vermosh e përfundon në Ksamil. Projekti duket megaloman. Pa marrë parasysh nëse realizohet apo jo në formën e paralajmëruar, megaqyteti është përgjigjja e princit të Kurorës ndaj sfidave të ardhmërisë. Edhe princi Bin Salman është rritur me teknologjinë më moderne. Jo vetëm me tespihe dhe me deve. Kafshët me një e me dy gunga në shpinë do të shërbejnë edhe në të ardhmen si atraksion për turistë dhe si reminishencë nga e kaluara.