• E mërkurë / Jul-23 19:30
  • Kontakt

Thaçi: Trump ka shtuar vëmendjen për Kosovën, marrëveshja me Serbinë do të arrihet nga amerikanët

Thaçi: Trump ka shtuar vëmendjen për Kosovën, marrëveshja me Serbinë do të arrihet nga amerikanëtpejt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një adresim ndaj qytetarëve të Kosovës ka deklaruar për vizitën dhe mesazhet që ka marrë nga zyrtarët e rëndësishëm amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi ka deklaruar se Kosova do të ketë një marrëveshje paqësore me Serbinë, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur vëmendjen për Kosovën dhe rajonin.

”Kam besim që edhe sot jemi në pozitë të njëjtë dhe jam i bindur që unik dhe të bashkuar do të dalim faqebardhë. Sepse kemi Presidentin e SHBA-ve Donald Trump që ka shtuar vëmendjen për Kosovën dhe rajonin. Kemi një emisar të ngarkuar special, Richard Grenell që me përkushtim po shtyn përpara dialogun, po arrin marrëveshje dhe po angazhohet maksimalisht për marrëveshjen tjetër të radhës, atë përfundimtare”, tha Thaçi.

Thaçi tha se vonesa e Kosovës nuk është në interesin e vendit, ai ka ftuar që politikanët kosovarë duhet të tregohen të mençur.

”Vonesa nuk është në interesin tonë, nuk është në interesin e investimeve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj duhet të tregohemi të mençur duhet të shfrytëzojmë rastin e ofruar e të bëjmë hapin tjetër të madh strategjik për Kosovën, ashtu siç kemi vepruar unik e të bashkuar në Rambuje e Vjenë, e në këto dy procese kemi dalur fitues”, tha Thaçi.

Takimin me Vucicin e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm, pasi SHBA është rikthyer fuqishëm në procesionin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Dëshiroj që t’ju njoftoj kronologjikisht për bisedën dhe për përmbajtjen e bisedave në këtë takim. Kemi diskutuar për sigurinë që Kosova të jetë sa më shpejt pjesë e NATO’s. Kam pasur edhe takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit amerikan për ushtrinë e Kosovës dhe nevojën që Kosova të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. Kam patur gjithashtu takim me sekretarin amerikan Mike Pompeo, i cili ka shprehur dëshirën dhe vullnetin për tu arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Unë i sigurova se asgjë nuk do ta cenojë marrëdhënien e jashtëzakonshme që ka Kosova me SHBA-në. Në kongresin amerikan u prita nga kongresmeni Englel , i cili shprehu mbështetjen e pakursyer për Kosovën dhe Ballkanin. Kam takuar gjithashtu edhe emisarin e Trump, Richard Grenell i cili si gjithmonë shprehu mbështetjen për Kosovën”, tha Thaçi.

Thaçi tha se takimi me Vucicin ka treguar se SHBA është rikthyer në tavolinën e bisedimeve dhe tani amerikanë kanë marrë drejtimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

“Me ftesë të ambasadorit Grenell, jam takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Më lejoni t’ju njoftoj për këtë takim dhe implikimet e tij. Takimi shënon rikthimin e fuqishëm të ShBA-së në procesin e kërkimit apo mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ne këtu në Kosovë, të gjithë pa dallim, institucionet, partitë politike, mediat, kanë kërkuar prezencën amerikane në këtë mes, gjithashtu që Uashingtoni të merr një rol bosht në udhëheqjen në këtë proces. Sot SHBA udhëheq në këtë rol. Takimi në Uashigton është i rëndësishëm sepse e lehtëson apo e bën më të afërt arritjen e marrëveshjes. I bën më reale gjasat që diçka e tillë e munguar të mund të arrihet në Uashington”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë Thaçi ka thirrur për unitet mes spektrit politik kosovar pasi tani është moment shumë i rëndësishëm për Kosovën në lidhje me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.