Këta janë të propozuarit e LDK’së për ministra, ka edhe emra befasi

Këta janë të propozuarit e LDK’së për ministra, ka edhe emra befasi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që të krijojë shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re. Deri më tani, LDK ka nisur bisedimet me AAK’në dhe Nismën për të lidhur një koalicion qeverisës. Burime brenda LDK’së kanë treguar se kush do të jenë gjashtë emrat e LDK’së që do të drejtojnë ministritë si dhe postin e zëvendëskryeminitrit

Emrat e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ministra janë: Vlora Dumoshi do të vazhdojë të udhëheq Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Agim Veliu do të vazhdojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Lumir Abdixhiku do të kalojë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve. Lutfi Zharku do të zë vendin e Abdixhikut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit. Hykmete Bajrami do të emërohet zëvendëskryeministre. Armend Zemaj do të jetë ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkaq befasia në listën e LDK’së është infektologu Valbon Krasniqi, të cilin deri më tani jemi mësuar duke e parë në prononcimet e tij për gjendjen me COVID-19 në Kosovë.

Sipas këtyre informatave brenda LDK’së, Valbon Krasniqi do të udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë.

Në Qeverinë Kurti, LDK’ja kishte edhe ministrinë e Mbrojtjes, të udhëhequr nga Anton Quni, por tashmë kjo ministri nuk do t’i takojë më LDK’së.

Ndërkohë, LDK’ja tashmë ka dhënë emrin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Kosovës.

Ndërkaq në bisedimet me LDK’në, është vendosur që AAK’ja të ketë tre ministra në qeverinë e re.

Kush kryesor i LDK’së për partitë tjera për formim të qeverisë është që emrat e propozuar për ministra të mos kenë asnjë aktakuzë.

Ndërkohë përveç AKK’së dhe Nismës, është përmendur edhe AKR’ja e Behgjet Pacollit për të qenë pjesë e qeverisë së re, mirëpo kjo ende nuk është konfirmuar.