India e ka anuluar një porosi për gjysmë milioni teste për koronavirus nga Kina pasi raportohet të jetë zbuluar se ato janë vetëm pesë për qind të sakta.
Disa prej testeve me defekte tashmë ishin përdorur në disa rajone, por ato janë tërhequr nga përdorimi me vendimin e qeverisë qendrore, shkruan “Daily Mail”.
Pajisjet për testim të shpejtë zakonisht e japin rezultatin për 30 minuta përmes detektimit të antitrupave në organizmin e personave që mund të jenë infektuar me koronavirus.
Raportohet se këto teste ishin prodhuar nga kompanitë kineze “Guangzhou Wondfo Biotech” dhe “Zhuhai Livzon Diagnostics”, sipas televizionit indian, NDTV.
Kompania “Wondfo Biotech” është gjithashtu prodhuese e testeve për antitrupa, të cilat së voni janë refuzuar nga qeveria britanike për shkak të mungesës së shkallës së saktësisë.
Zyrtarët në disa rajone indiane raportuan për shkallë të saktësisë prej vetëm 5.4 për qind të këtyre testeve dhe ato jepnin rezultate negative për personat që kishin qenë të infektuar me koronavirus.
Ndaj këtyre raportimeve ka reaguar Ambasada e Kinës në Indi, duke thënë se është e padrejtë që disa individë t’i etiketojnë prodhimet kineze si prodhime me defekte.