• E mërkurë / May-27 16:33
  • Kontakt

Murati: Më shumë po e duam Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë

Murati: Më shumë po e duam Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë

E dëgjova presidentin duke folur kundër shkëmbimit të territoreve dhe duke qenë krejt i paqartë se çka nënkupton korrigjimi i kufijve. Fjalët se do të punojë për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën tani më nuk e paraqiti si projekt politik për të cilin do të angazhohet seriozisht dhe i cili është i mundshëm, por si dëshirë. Si dëshirë besoj nuk ka shqiptar që është kundër. E la të nënkuptohej se nuk do të merret me atë punë. Ngadalë, pasi që projektin që nga fillimi e shpërfaqi jo të qartë për qytetarët (paqartësi që i frikësoi një pjesë të mirë të tyre), po rikthehet në qëndrime tek klasa politike e frikësuar dhe refuzuese ndaj kësaj ideje për arsye e interesa të ndryshme, por asnjëra në funksion të interesit publik e kombëtar.

Po rikthehet ta dojë më shumë Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë. Duke fol ai, e duke i ndryshuar fjalët ku me ditë sa herë këto vitet e fundit m’u kujtua një tregim që na e tregonte shpesh Bahri Fazliu gjatë viteve 90’. Diku në Llap, djali e baba vijnë në përfundim se nuk largohet Serbia pa luftë. Por vendosin t’i thërrasin edhe burrat e katundit që ta kuvendojnë këtë punë e të fillojnë të organizohen. Pasi vijnë burrat e katundit në odën e tyre, djali e baba e hapin bisedën rreth luftës. Por pasi çelet muhabeti i luftës mysafirët fillojnë të largohen ngadalë. Në fund mbeten vetëm djali e baba.

Atëherë djali i thotë babës: “babë po më duket që na mbet lufta te dera”. E unë me vete, pak me buzëqeshje, pak me ironi, më shkoi mendja sesi kjo puna e kufijve na mbet te dera ne LB-së prapë. Por, ashtu si djali e baba që kishin pas mbet vetë, por në fund veç lufta ishte zgjidhja për lirinë e Kosovës, pa marrë parasysh se çka thonë presidentët tanë, kryeministrat (ish, aktual e në ardhje), liderët e pozitës e opozitës, analistë e gazetarë, nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç ripërcaktimit të kufijve.

Nëse duam zgjidhje të përhershme të problemeve me Serbinë, nëse e duam Kosovën shtet funksional, nëse duam heqje të privilegjeve të padrejta për pakicën serbe (jo edhe të drejtat e tyre), nëse e duam ndryshimin e kushtetutës për t’i bërë këto ndryshime të mëdha, nëse duam hapjen e rrugës për bashkim, nëse duam stabilitet, sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, nëse mendojmë pak për shqiptarët e Kosovës Lindore që janë pjesë e pandarë e jona, këtë e mundëson vetëm ideja e ripërcaktimit të kufijve. Pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubint Potokut e Zveçanit me Serbinë.

Të tjerat zgjidhje janë: të mbesim në status quo degraduese ose të bosnjëzohet Kosova përmes asociacioneve apo autonomisë për veriun dhe të vazhdohet vuajtja e qytetarëve të këtij vendi edhe për dekada. E në fund, në vend të ripërcaktimit të kufijve sot, do të kemi vërtetë ndarjen e Kosovës nesër.

Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar të tjerët në rrethana të tjera, e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.