Vizita e kryeministrit malazez në Kosovë, Dushko Markoviq, ka dhënë rezultate pozitive sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili konfirmoi se çështja e demarkacionit do të zgjidhet shumë shpejt.
Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se Demarkacioni së shpejti do të jetë temë e harruar.
“Për Demarkacionin jemi duke shkuar në rrugën e duhur, shumë shpejt çështja do të zgjidhet dhe përfundimisht kjo temë do të jetë e harruar dhe e mbyllur”, ka thënë ai.
Limaj, duke folur për vizitën e kryeministrit malazez Dushko Markoviq në Kosovë, ka thënë se kjo vizitë ka thelluar edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës e Malit të Zi.
Ai ka thënë që pret edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Pres që deputetët e Kuvendit ta mbështesin thellimin e bashkëpunimit në interes të të dyja vendeve”, përfundoi ai.