Arifi: Komuna e Bujanocit nuk do të ketë aktivitete të organizuara për Ditën e Diasporës, shkaku i pandemisë

Arifi: Komuna e Bujanocit nuk do të ketë aktivitete të organizuara për Ditën e Diasporës, shkaku i pandemisë

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka njoftuar se përshkak të pandemisë dhe mosardhjes së diasporës në vendlindje, manifestimi tradicional “Dita e Diasporës” sivjet nuk do të mbahet.

Postimi i plotë i Arifit:

Të dashur bashkatdhetarë nga diaspora,

Sot, komuna e Bujanocit do të duhej të kishte festë. Do të duhej shënuar ditën tuaj, Ditën e Diasporës. Por, rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19 këtë vit kanë kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, në këtë rast edhe ardhjen tuaj në vendlindje.

Si rrjedhojë e kësaj, këtë vit komuna e Bujanocit nuk do të ketë aktivitete të organizuara për Ditën e Diasporës. Megjithatë, mungesa e organizimit nuk do të zbehë dashurinë ndaj jush. Qytetarët tanë janë të lidhur ngushtë emocionalisht e shpirtërisht me ju. E ndjejmë mungesën e njëri tjetrit. Këtë verë, Bujanoci nuk është i njejti si viteve më parë.

Por, shpresojmë se pandemia Covid-19 që ka ndikuar negativisht në jetërat e njerëzve anekënd botës të kalojë sa më parë, e me dëshirën që ta kalojmë pa pasur pasoja në njerëz, urojmë që verën e ardhshme të keni mundësi t’i vizitoni më të dashurit tuaj. Të gjithë kemi nevojë për njëri tjetrin.

Urime 1 Gushti – Dita e Diasporës!