Muajin e ardhshëm pritet të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Muajin e ardhshëm pritet të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla zvarritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e ka quajtur mungesë vizioni dhe lidershipi të BE-së. Shefja e diplomacisë kosovare gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për Integrim Evropiane, pa praninë e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se vendi ka plotësuar dhe tejkaluar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Ajo theksoi se i kanë propozuar dy vendeve skeptike për liberalizimin e vizave, Francës dhe Holandës formimin e një grupit të përbashkët punuese për t’i adresuar gjitha ankesat e tyre në mënyrë që të jenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ajo para të zgjedhurve të popullit foli edhe për njohjen nga Izraeli dhe moratoriumin 1-vjeçar për mos aplikim në organizata ndërkombëtare. Derisa arsyetoi këtë të fundit, Haradinaj-Stublla paralajmëroi një vizitë muajin e ardhshëm në Izrael ku tha se pritet të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Kjo siç e dini nuk ka qenë e mirëpritur, është jo serioze dhe mungesë vizioni dhe mungesë lidershipi strategjik sa i përket BE-së, sepse palë kontraktuale e kemi BE-në dhe ata do të duhej të na përgjigjen neve dhe qytetarëve në bazë të obligimeve që kemi marrë dhe kritereve të përgjigjen se pse tash përmbushjes së këtyre kritereve neve na kërkohet të punojmë në aspektin bilateral me secilin shtet veç-veç. Të jemi të sinqertë homologu nuk ka shpreh shqetësim të saktë se ku qëndron skepticizmi. Por ka thënë se këtu takohemi për herë të parë, a mund të më tregoni ju se ku qëndron Kosova. Si jeni në raport me përmbushjen e kritereve, por donim të dëgjonim më shumë. Jemi dakorduar, e kam propozuar nivelin e njëjtë të bashkëpunimit, siç kemi bërë me Gjermaninë që të formojmë një grup punues të përbashkët në nivelin e këtyre ministrive siç e ceka më herët. Po pres përgjigjen edhe të palës holandeze se si do të procedojmë tutje në raport me këtë temë dhe krijimin e gjitha shqetësimeve që pala holandeze mund t’i ketë. Sa i përket Francës kryeministri ka pas një vizitë e ka propozuar të njëjtin format të bashkëpunimit siç kemi bërë me Gjermaninë, dhe po punojmë të bëjmë edhe me Holandën”, tha jo.

Por para se të merrte fjalën ministrja, anëtarët e komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu dhe Gazmend Gjyshinca braktisën sallën ku po raportonte Haradinaj-Stublla.

Deputetja Kryeziu tha se është e panevojshme raportimi i ministres në këtë komision dhe se nuk kanë marrë asnjë vendim në komision që një gjë e tillë të ndodh.

Nuk e dina pse një ministre e Punëve të Jashtme do të duhej të vinte të raportonte për çështjen e liberalizimit të vizave. Nuk e dimë se ne si komision jemi dakorduar, kjo as nuk thuhet në procesverbalin e mbledhjes së kaluar që ne të ftojmë zonjën Meliza dhe të vijë të na sqarojë ose flas më tepër për çështjen e liberalizimit të vizave. Duke parë komplet të panevojshme këtë ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk do të marrim pjesë në këtë raportim për të cilin nuk e dimë çfarë është dhe do të kthehemi për të vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës”, tha ajo.

Por pavarësisht kësaj, raportimi vazhdoi, derisa anëtarja e PDK-së në këtë komision, deputetja Blerta Deliu-Kodra e pyeti ministren për moratoriumin 1-vjeçar për mos aplikim në organizata ndërkombëtare dhe njohjen e ndërsjellët me Izraelin.

E para është e saktë se sot kam pritur një raport se gjithmonë ministrat para se të raportojnë kanë sjell një raport për këto vizitat dhe takimet që iu i përmendët në Holandë dhe Francë. Do të doja të di se çfarë po bën MPJD në këtë drejtim, a ka ndonjë strategji të qartë për përgatitje për aplikim. E dini që e kemi rastin e Interpolit dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm që duhet të përgatitemi, sa e ka dëmtuar kjo Kosovën në aspektin e anëtarësimeve. Në takimin në Uashington ka pasur dakordësi për njohje nga Izraeli a e keni marrë konfirmimin si ministri e Jashtme në lidhje me njohjen. Kur pritet të hapet ambasada në Izrael”, u shpreh Deliu-Kodra.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetes, ministrja tha se në rrethanat aktuale politike dhe pandemike Kosova nuk do të kishte mundësi reale për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë multilaterale me sukses.

Anëtarësimi besoj që nuk mund të bëhet në formë virtuale siç është duke funksionuar politika e jashtme në përgjithësi, dhe të gjitha institucionet e tjera multilaterale ku synojmë të anëtarësohemi. Kjo nuk duhet të pengojë Kosovën për t’i bërë gjitha përgatitjet e nevojshme se si të ecet në këtë aspekt… shumë shpejt do të kem një vizitë në Izrael ashtu siç më ka ftuar homologu izraelit dhe jemi duke punuar çdo ditë në finalizimin e këtyre detajeve për sa i takon nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Kjo nuk ndodh se po i dëgjoj disa njerëz në publik se nuk ndodh njohja vetëm me notën verbale. Ne po presim të formalizojmë një dokument ose draft të përbashkët të vendosjes formale të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit”, tha ajo.

Shefja e diplomacisë foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi ku tha se duhet angazhim më i madh që njohja reciproke ndërmjet dy vendeve të jenë në fokus, e jo normalizimi i marrëdhënieve.