AKA që një muaj pa bord funksional, Kosova rrezikon rianëtarësimin në ENQA

AKA që një muaj pa bord funksional, Kosova rrezikon rianëtarësimin në ENQA

Agjencia e Kosovës për Akreditim bordin vendimmarrës e ka jofunksional tash e një muaj. Kjo pasi pesë anëtarë të tij u dorëhoqën, kurse katër që mbetën nuk mund të marrin vendime për shkak të mungesës së kuorumit.

Kjo situatë e krijuar në AKA po shihet si mjaftë shqetësuese në  vend.

Madje, kjo gjendje nuk shihet si pozitive, pasi AKA tashmë i është afruar periudhës së rivlerësimit për rianëtarësim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga i cili u përjashtua gjatë 2019-ës.

Nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, në një përgjigje me shkrim kanë thënë për lajmi.net se dorëheqjet e pesë anëtarëve nuk ka ndonjë ndikim negativ në procesin e akreditimit të institucioneve të larta arsimore, pasi vendimet për vlerësimin e tyre janë marrë para dorëheqjeve së tyre.

“Aplikacionet institucionale dhe për programe të Institucioneve të Arsimit të Lartë publik dhe privat në vendin tonë, veçse janë shqyrtuar nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjenci të Kosovës për Akreditim dhe tashmë është duke vazhduar procesi i vlerësimit. Dorëheqjet e këtyre anëtarëve nuk kanë ndonjë ndikim negativ në procesin aktual që është duke u zhvilluar sepse vendimet për vlerësimin e institucioneve dhe programeve janë marrë para dorëheqjeve të këtyre anëtarëve”, kanë thënë nga ORCA.

ORCA vlerëson se duke pas parasysh që AKA i është afruar periudhës së vlerësimit për rianëtarësim në ENQA, dorëheqja e pesë anëtarëve të bordit nuk do t’i ndihmojë këtij procesi.

“Marrë parasysh që Agjencisë së Kosovës për Akreditim i është afruar periudha e rivlerësimit për rianëtarësim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), dorëheqja e pesë anëtarëve të bordit në AKA nuk është shenjë pozitive që i ndihmon këtij procesi por që shpresojmë që pas krijimit të qeverisë së re, të emërohen anëtarë kredibil dhe bashkëpunues të cilët do të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës siç kërkohet ligjërisht”, thuhet në përgjigjen e ORCA për lajmi.net.

Nga ORCA po ashtu kanë thënë se do të vazhdojë ta mbështesim dhe monitorojmë Agjencinë e Akreditimit në menaxhimin e procesit të akreditimit deri në emërimin e anëtarëve të rinj.

Ndërsa, eksperti i Arsimit, Dukagjin Popovci ka thënë për lajmi.net se në momentit e konstituimit të Kuvendit, kjo çështje duhet të kryhet me urgjencës, pas që sipas tij, duke marrë parasysh situatën në të cilën për momentin ndodhet arsimi i lartë dhe institucionet e arsimit të lartë, pa akreditim nuk mund ta fillojnë vitin e ri shkollor.

“Kjo është situate, e cila nuk është parashikuar as në legjislacion se bordin e agjencisë, në instancën e fundit duhet ta emëroj kuvendi, pra ta ratifikojë me propozimin e ministrisë dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodh përderisa nuk ka Kuvend. Kështu që unë mendoj që ky duhet të jetë njëri nga prioritetet e Kuvendit në legjislaturën e re pikërisht duke marrë parasysh situatën në të cilën për momentin ndodhet arsimi i lartë, sepse edhe institucionet e arsimit të lartë pa akreditim nuk mund ta fillojnë vitin e ri shkollor. Kështu që një numër i konsiderueshëm i institucioneve mund të dëmtohen dhe kjo duhet të jetë ajo arsyeja për urgjencë nga ana e Kuvendit”, ka thënë Dukagjin Popovci.

Ndryshe, me 4 shkurt, pesë anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim kanë dhënë dorëheqje, prej tyre dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë.

Arsyeja e dorëheqjes së tyre ndërlidhet me kërkesën e Antikorrupsionit për ta deklaruar pasurinë, një praktikë e panjohur për ta deri tash. Ndërsa, vendorët dorëheqjen e tyre e kanë arsyetuar me humbjen e legjitimitetit të Bordit dhe presioneve nga jashtë e nga brenda.

Kujtojmë se Agjencia e Akreditimit të Kosovës është përjashtuar nga ENQA (Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), me 19 shtator të viti 2019.

Në letër ishin listuar disa arsye për të cilat, bordi i ENQA-s mori këtë vendim, një ndër kërkesat kryesore të kësaj organizate ishte pavarësia, gjë e cila me gjasë ishte e pamundur.