Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Popullore të Bangladeshit është lajm i mirë dhe një hap tjetër në drejtim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Kështu ka thënë Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pas nënshkrimit të marrëveshjes për vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike në mes dy vendeve.
“Ne, do të vazhdojmë praktikën e tillë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të shtrijmë prezencën dhe përfaqësimin tonë diplomatik gjithandej nëpër botë”, ka thënë Pacolli.
Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Bangladeshit në Kombet e Bashkuara, Ambasadori, Masud Bin Momen dhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija.
Nëpërmjet kësaj, dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dy-palësh, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.
Të frymëzuar nga parimet e Kartës së OKB-së, të dy shtetet janë zotuar se do të angazhohen në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndihmës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Për qëllime dokumentimi dhe praktike, Marrëveshja është deponuar edhe në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Bangladeshi njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në muajin shkurt të vitit të kaluar.