Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarës për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Ikballe Berisha-Huduti.
Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e prokurorit Afrim Shefkiu, i cili sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, e kishte njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk do të mund të ishte prezent në sallë të gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, seanca u shty në kohë pacaktuar.
Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 30 tetor të vitit 2020, gjatë së cilës e akuzuara kishte mohuar fajësinë për veprën penale më të cilën e ngarkon PSRK.
Ndërkaq gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 3 dhjetor 2020, e njëjta kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës ndaj saj, e cila kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.