Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:
Kënaqësi ta mirëprisja sot delegacionin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, të përbërë nga znj. Chantal Care, Sekretare e Parë, z.Urosh Mamiq, zyrtar për projekte rajonale dhe z.Vlladan Avramoviq, këshilltar politik.
Kjo vizitë e dytë për kohë të shkurtër në Preshevë e përfaqësisë diplomatike të qeverisë britanike në Serbi dëshmon pos tjerash edhe kredibilitetin institucional të qeverisjes lokale dhe dinamizimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në këtë takim ngrita çështjet e diskriminimit politik dhe ekonomik të komunës e rajonit tonë nga qeveria republikane SNS-SPS, pasivizimit të vendbanimeve, moszbatimit të tri marrëveshjeve shtetërore për Luginën e Preshevës dhe bllokimit të dialogut bilateral për Luginën e Preshevës nga ana e Beogradit zyrtar.
Bashkëbiseduam edhe për implementimin e ardhshëm të projekteve në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe kulturës.