Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit në vend.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se MSH ka bashkërenduar këto masa me akterët që preken nga to, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se nuk përjashtohet fakti që masa të reja të merren pas një periudhe të caktuar kohore.
“MSH ka bashkërenduar vendimmarjen me palët e interesit që kanë qenë të ndikuara nga pandemia. Rishikimi i masave është bërë duke marrë parasysh disa prioritete, që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit për qytetarët. Masat shërbejnë që situata të mbahet nën kontroll, mirëpo nuk përjashtohen edhe masat e reja shtrënguese apo liruese”, ka thënë ministri Vitia.
Ai ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 10 shtator.
“Për shkak se në shtator fillon procesi arsimor ne kemi paraparë që afati kohor i këtyre masave të jenë deri më 10 shtator, por që në asnjë mënyrë nëse ka ndryshime në situatë, ne do patjetër do analizojmë dhe do marrim masa të reja ku do përfshihen edhe institucione tjera publike dhe private”, ka thënë Vitia.
Se cilat saktësisht janë masat e reja, do të bëhet e ditur pas pak nga ministria e Shëndetësisë.