znj.Sinani i shpreh ngushëllime familjes së komandant Rabit Aliut

znj.Sinani i shpreh ngushëllime familjes së komandant Rabit Aliut

Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:

Me pikëllim mora lajmin se ka ndërruar jetë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc; z.Rabit Aliu, nga Corrotica e Komunës së Preshevës.

Me formim arsimor agronom, ai ishte detyruar të migronte në Gjermani për shkak të presionit të pushtetit. Komoditetin e jetës së atjeshme e braktisi për uniformën çlirimtare dhe përballjen me vdekjen për liri.  

Rabit Aliu ishte idealist që nuk lakmohej nga privilegjet. Ishte i panënshtrueshëm. I pakompromis me regjimet shtypëse dhe solidar me njerëzit e zakonshëm. Liridashës për popullin e tij pa urryer popujt e tjerë. 

Ndonëse prania fizike iu ndalua padrejtësisht në vendlindje, ai jetoi dhe veproi gjithherë për Preshevën dhe Luginën e lirë. Dje nga Drenica e Kosovës dhe Gosponica e Karadakut të Preshevës. Tash e tutje nga Amshimi dhe Përjetësia. 

Pusho i qetë dhe në dritë të përjetshme, se dielli i Luginës do të lindë edhe më bukur. Siç e këndoje këngën: “O tek lenë dielli more, praron hana…!”

Në emrin tim personal dhe në cilësi të kryetares së Komunës së Preshevës, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Aliu, bashkëluftëtarëve dhe miqve e të njohurve të të ndjerit.

I lehtë të qoftë dheu.

Lavdi!