Me rastin e përvjetorit të 31-të të Partisë për Veprim Demokratik, kryetari i këtij subjekti politik, Shaip Kamberi, ka uruar anëtarësinë dhe simpatizantët e partisë më me përvojë në rajonin e Luginës së Preshevës.
Kamberi, në urimin e tij, ka falenderuar çdo votues veç e veç, për dhënien e mundësisë së prezentimit dhe bashkërrugëtimit për tre decenie me rradhë.
Ai nuk ka harruar pa e kujtuar edhe kohën e vështirë kur ky subjekt politik u themelua tre decenie më parë, si e vetmja mundësi për organizimin e shqiptarëve në tre komunat e Luginës së Preshevës.
“Për shqiptarët e përjashtuar nga përfaqësimi, të shtypur e shkelur, të arrestuar politikisht e të vrarë, nga sistemet që vrasjen për shqiptarët e kishin shndërruar në agjenda e politika shtetërore, nuk ka pasur rrugë tjetër, përveç asaj të organizimit. Prandaj atëkohë ishte guxim, ndërsa sot, organizimi politik i shqiptarëve të Luginës mbetet mjeti demokratik i përpjekjeve për realizimin e aspiratave politike të Luginës së Preshevës” – ka shkruar Kamberi.
Kryetari I PVD-së, ndër të tjera ka thënë se: “Tre decenie angazhim nuk janë pak edhe sikur gjithçka të shkonte mirë. Ato bëhen shumë kur i karakterizon beteja e pandalur politike, angazhimi i papushuar institucional e pengesat e shumta nga shumë faktorë. Nga brenda dhe jashtë” – ka shkruar ai.
Për më shumë, kryetari Shaip Kamberi ka kërkuar që kjo rrugë duhet të vazhdojë, dhe se angazhimi në PVD, nuk guxon ta lodhë askend, dhe nuk duhet ndaluar kjo rrugë.
“Por, kjo nuk duhet e nuk guxon t’na lodhë, ne nuk guxojmë të ndalemi. Ne po ecim, por na duhen edhe hapa më të mëdhenj në rrugëtimin tonë të përbashkët. E ecja jonë duhet të vazhdojë” – thuhet në durimin e kryetarit të PVD-së, Shaip Kamberi drejtuar anëtarësisë së partisë së tij.
Më poshtë, mundë ta lexoni të plotë urimin e kryetarit, Shaip Kamberi, drejtuar anëtarëve të PVD-së, me rastin e 31 vjetorit të partisë:
Organizimi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte domosdoshmëri e asaj kohe - Partia për Veprim Demokratik ishte bartëse e saj.
Në 31 vjetorin e themelimit të Partisë për Veprim Demokratik dua të falenderoj çdo anëtar e anëtare, aktivist e aktiviste, udhëheqës të organeve të partisë, nga themelimi i saj e deri sot.
Dua t’i falenderohem çdo votuesi veç e veç, të cilët nga atëherë e deri më tash, kanë mundësuar që t’i përfaqësojmë e prezentojmë, t’i prijmë, t’i udhëheqim dhe të bashkërrugëtojmë.
Sepse pa ta, nuk do të ishte e mundur, e për ta ia vlenë.
Për shqiptarët e përjashtuar nga përfaqësimi, të shtypur e shkelur, të arrestuar politikisht e të vrarë, nga sistemet që vrasjen për shqiptarët e kishin shndërruar në agjenda e politika shtetërore, nuk ka pasur rrugë tjetër, përveç asaj të organizimit.
Prandaj atëkohë ishte guxim, ndërsa sot, organizimi politik i shqiptarëve të Luginës mbetet mjeti demokratik i përpjekjeve për realizimin e aspiratave politike të Luginës së Preshevës.
Tri decenie angazhim nuk janë pak edhe sikur gjithçka të shkonte mirë. Ato bëhen shumë kur i karakterizon beteja e pandalur politike, angazhimi i papushuar institucional e pengesat e shumta nga shumë faktorë. Nga brenda dhe jashtë.
Por, kjo nuk duhet e nuk guxon t’na lodhë, ne nuk guxojmë të ndalemi.
Ne po ecim, por na duhen edhe hapa më të mëdhenj në rrugëtimin tonë të përbashkët.
E ecja jonë duhet të vazhdojë.
Deri atëherë kur përfaqësimi ynë të jetë i merituar, trajtimi i ynë të jetë i barabartë, kur pasivizimi i adresave t’i takojë të kaluarës, njohja e diplomave të mos jetë pengesë e punësimit, simbolin kombëtar ta përdorim lirshëm e librat të mos i mungojnë nxënësve.
Ne duhet të ecim drejtë përpjekjeve tona për të siguruar zhvillimin e komunave ku jetojmë, të jemi bashkë rreth temave me rëndësi kombëtare e të konkurojmë me ide e program për zhvillimin tonë lokal.
Prandaj, duke uruar që 31 vjetori i Partisë për Veprim Demokratik të jetë vetëm një pjesë e angazhimit tonë politik, ftoj edhe të gjithë anëtarët e anëtaret e dikurshëm e PVD-së të kthehen në familjen tonë politike.
Të rinjët dhe të rejat ambicioze e të vendosura të na bashkëngjiten.
Të vazhdojmë të qëndrojmë drejtë, të rritemi edhe më shumë e të kontribuojmë të gjithë bashkë.
Urime!