Borrell për takimin Kurti-Vucic: Nuk mund të takohemi për asgjë

Borrell për takimin Kurti-Vucic: Nuk mund të takohemi për asgjë

Janë të vogla gjasat që një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic të ndodh këtë vit. Kështu u shpreh përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një konferencë për media në Bruksel.

Kryediplomati evropian, i cili shprehi skepticizëm për në takim të ardhshëm Kurti-Vucic, u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.

“Nuk e kemi shpallur ende, e kemi bërë të qartë se pas dy takimeve të këtij viti se parakushtet për takimin e radhës janë gatishmëria e dy palëve për t’u pajtuar për rezultate konkrete, pasi është e padobishme të thirret një takim tjetër kur këto kushte nuk plotësohen, pra të takohemi për asgjë. Për sa kam kuptuar unë nga Lajçak, gatishmëri nuk ka në këtë moment, por nuk mund t’i detyrojmë palët… Ajo çka u tha gjatë këtij takimi është se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira. Sigurisht që presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen nga dy palët”, tha ai.

Por kryeministri Kurti tha se nga 33 marrëveshjet me Serbinë, dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërës prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai”, deklaroi ai.