sh-kryeministri i Kosovës, tani kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj ministrit serb, Aleksander Vulin, i cili e quajti “gënjeshtër” dhe “trillim” maskrën e Reçakut.
Haradinaj me anë të një postimi në Facebook ka përmendur rastin e shkarkimit të ish-ministrit, Ivan Teodosijeviq dhe zv/ministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq për shkak të mohimit të krimeve serbe në Kosovë.
Ai ka kërkuar që ky standard të aplikohet nga secila qeveri.
“Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica. Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni.
Fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin.
Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci.
Këtë standard që e vendosëm atëherë, duhet ta respektojë secila qeveri, duke mos lejuar asnjërin që të tentojë të shkatërrojë investimin shumëvjeçar.
Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit.
Në fund, iu bëj thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën.