Molliqaj: Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit

Molliqaj: Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas suspendimit të policit Amir Hoxha për tre ditë, pasi ky i fundit kishte kërkuar pagesën e shujtave për uniformat e kaltërta.

Molliqaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka vlerësuar se qeveria aktuale me kryeministrin Albin Kurti në krye po keqpërdor më së shumti profesionin e policit.

“Nuk ka profesion më të keqpërdorur nga qeveria Kurti, sesa ai i policit. Mbani mend skenat në veri për hesape elektorale? Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri”, ka thënë më tej ai.

“Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vëshirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet”.

Polici Hoxha me anë të një postimi në ‘Facebook ka njoftuar se është suspenduar prej tre ditësh nga Policia e Kosovës, për pakënaqësinë e shfaqur për mospagesën e shujtave ndaj policëve.

“Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam kryer veper penale apo shkelje të rëndë disciplinore , e që me sa dij unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër penale”, ka thënë ai në postimin njoftues për suspendimin e përkohshëm të tijin.