Scholz-i thotë se Rusia ka kuptuar një mesazh

Scholz-i thotë se Rusia ka kuptuar një mesazh

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të mërkurën se Moska ka kuptuar se Perëndimi është i bashkuar në vendosmërinë e vet për të vendosur sanksione të ashpra, nëse Rusia e pushton Ukrainën, por shtoi se situata ende është e tensionuar.

“Është shumë herët të thuhet se problemet janë zgjidhur. Ato janë shumë serioze dhe do të mbeten ende për ca kohë, prandaj e meritojnë vëmendjen tonë”, tha kancelari gjerman në një konferencë për gazetarë pas takimit me Kryeministren e Danimarkës, Mete Frederiksen.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë duke vepruar së bashku për sanksionet e mundshme, të cilat janë duke u përgatitur shumë mirë, shkruan Reuters.

Gjermania është kritikuar për refuzimin e saj për t’i dhënë armë Ukrainës në kohën e tensioneve me Rusinë dhe frikës nga pushtimi i mundshëm rus. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë ndihmuar Ukrainën me armë.

Sidoqoftë, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e ka vizituar dy herë Ukrainën brenda pak javëve dhe ka thënë se Kievi mund të llogaritë në Berlinin.

Ndërkohë zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, ka thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga Perëndimi përbën “shantazh dhe presion”.